Matura, shtohen masat e sigurisë për provimet
Shtohen masat e sigurisë për zhvillimin e katër provimeve të Maturës. Ashtu siç kishte bërë të ditur edhe më parë, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka përcaktuar disa masa të reja jo vetëm për administrimin e provimeve, por edhe për mbikëqyrjen e tyre, që rrjedhimisht është pasuar me shtim të numrit të specialistëve që do të angazhohen në këtë proces. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka firmosur së fundi masat për zhvillimin e provimeve të Lirimit dhe Maturës 2011, duke përcaktuar të gjitha rregullat që do të ndiqen për këtë proces, që nga ora e fillimit të tyre e deri në monitorimin e korrigjimeve. Sipas udhëzimit nr.17, datë 05.05. 2011 “Për masat për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2011”, provimet e detyruara dhe me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00. Ndërkaq, testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 13 pikë dhe 12 kërkesa janë me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje janë me përgjigje alternative dhe vlerësohen me 10 pikë dhe 10 pyetje janë me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. Provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila, ndërsa provimet me zgjedhje 4 orë, që nënkupton 2 orë për çdo test. Kurse për maturantët/kandidatët që do të japin provim të Maturës njërën nga lëndët me zgjedhje, koha është 2 orë. Këta maturantë/kandidatë do ta fillojnë provimin në orën 11.00 dhe do ta zhvillojnë atë në mjedise të veçanta. Përsa i përket hartimit dhe vlerësimit të testeve të provimeve të Maturës 2011, në udhëzimin e ministrit Tafaj përcaktohet se “Përzgjedhja e testit për secilin nga provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2011 të kryhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit dhe Shkencës, të cilët emërohen përzgjedhës të testit përfundimtar (PTP) në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të AKP. Pas përzgjedhjes së testit, të kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave nga AKP”. Sakaq, periudhat kohore të ekspozimit potencial të sekretit (KOEPS-eve) për Maturën Shtetërore 2011 do të jenë: 25 maj-1 qershor 2011, për lëndën “Gjuhë shqipe dhe letërsi”; 8 qershor-15 qershor 2011, për lëndën “Matematikë”; 23 qershor-30 qershor 2011, për lëndët me zgjedhje. Sipas udhëzimit, lista e punonjësve të AKP-së, të cilët përfshihen në KOEPS për secilën periudhë do të miratohet nga drejtori i përgjithshëm i AKP-së, ndërkohë që specialistët e lëndëve përkatëse në AKP do të futen në KOEPS një ditë më pas nga datat e përcaktuara më sipër. Ata hartojnë së bashku me PTP skemat e vlerësimit të testeve dhe ndihmojnë më tej proceset e tjera të formatimit, shumëfishimit dhe shpërndarjes së testeve. Pas zhvillimit të çdo provimi të Maturës, testet e maturantëve/kandidatëve do të dërgohen, nën masa të rrepta sigurie, në godinën e shkollës “Sabahudin Gabrani” Tiranë dhe më pas AKP-ja kryen inventarizimin dhe shpërndarjen e tyre në qendrat e vlerësimit.
Sikurse është bërë e ditur edhe më parë, por edhe në udhëzimin e fundit, vlerësimi i testeve të maturantëve në provimet e Maturës, këtë vit do të bëhet në 6 qendra vlerësimi, nga katër që kanë qenë më parë, që më konkretisht janë: në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabahudin Gabrani”, Qendra Nr.1; në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabahudin Gabrani”, Qendra Nr. 2; në Elbasan, në godinën e shkollës “Qemal Stafa”; në Shkodër, në godinën e shkollës “Jordan Misja”; në Fier, në godinën e shkollës “Naim Frashëri”; në Korçë, në godinën e shkollës “Sevasti Qiriazi”. Për të pasur më shumë siguri, transporti i testeve nga Tirana për në secilën nga qendrat e vlerësimit Elbasan, Shkodër, Fier, Korçë dhe anasjelltas, do të bëhet, nën masa të rrepta sigurie, me automjete të DAR-së përkatëse, nga grupi i administratorëve të përcaktuar. Ndërkohë që DAR Tiranë, DAR Elbasan, DAR Shkodër, DAR Fier dhe DAR Korçë duhet të marrin masa për lirimin e mjediseve për vlerësimin e testeve në godinat e shkollave të përcaktuara, për ruajtjen e tyre me shërbim 24-orësh me roje të Policisë së Shtetit, gjatë periudhës 1 qershor-15 korrik 2011.
Izolimi për hartimin e testeve
Periudhat kohore të ekspozimit potencial të sekretit (KOEPS-eve) për Maturën Shtetërore 2011 do të jenë:
25 maj-1 qershor 2011, për lëndën “Gjuhë shqipe dhe letërsi”
8 qershor-15 qershor 2011, për lëndën “Matematikë”
23 qershor-30 qershor 2011, për lëndët me zgjedhje
Gjashtë qendrat e vlerësimit
Në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabahudin Gabrani”, Qendra Nr.1
Në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabahudin Gabrani”, Qendra Nr. 2
Në Elbasan, në godinën e shkollës “Qemal Stafa”
Në Shkodër, në godinën e shkollës “Jordan Misja”
Në Fier, në godinën e shkollës “Naim Frashëri”
Në Korçë, në godinën e shkollës “Sevasti Qiriazi
Testet, grup i posaçëm monitorimi edhe në qendrat e vlerësimit
Pas çdo provimi të Maturës Shtetërore 2011, në secilën nga 6 qendrat e vlerësimit do të funksionojë në mënyrë permanente një grup i administrimit dhe i monitorimit të testeve, me përbërje si më poshtë: një përfaqësues i AKP-së; një përfaqësues i DEPU; një përfaqësues i DAR-së përkatëse. Për drejtimin teknik të procesit të vlerësimit, AKP-ja do të caktojë në çdo qendër e për secilin provim dy specialistë, të cilët do të përzgjidhen e trajnohen prej saj në periudhën 15 prill-15 maj 2011. Administrimi dhe zhvillimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2011 bazohet në “Rregulloren për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2011 në Republikën e Shqipërisë”. Këtë vit, testet për provimet e Maturës Shtetërore do të hartohen dhe administrohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP), mbi bazën e programeve orientuese lëndore përkatëse. Aktualisht, DEPU dhe AKP kanë përcaktuar sasinë dhe llojin e testeve që nevojiten për secilin nga provimet e Maturës (të detyruara dhe me zgjedhje). Sikurse procesi i administrimit dhe i zhvillimit, edhe ai i hartimit dhe vlerësimit do të bëhet sipas rregullores së Maturës. Sipas nenit 58 të kësaj rregulloreje, vlerësimi i testeve do të ndjekë këtë procedurë: pas përfundimit të çdo provimi të Maturës, AVA shpall skemën e vlerësimit të testit. Skema e vlerësimit është standard vlerësues i njëjtë për çdo maturant/kandidat. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga maturanti/kandidati për kërkesën përkatëse, mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve. Vlerësimi i përgjigjeve të maturantëve/kandidatëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë të përshkallëzuar. Testet e provimit të Maturës vlerësohen nga vlerësues të jashtëm. Drejtori i AVA-s, në bashkëpunim me DEPU të MASH, përzgjedh vlerësuesit e jashtëm dhe përgjegjësit e tyre. DEPU dhe AVA organizojnë, jo më vonë se një muaj përpara provimit të parë të Maturës, trajnimin intensiv të vlerësuesve.
Korrigjimi
Si do të bëhet monitorimi i procesit
Grupi monitorues në qendrën e vlerësimit ka detyrat e mëposhtme:
Kontrollon nëse është siguruar ruajtja nga policia e objektit ku janë vendosur testet.
Përgjigjet për tërheqjen e testeve nga AKP-ja dhe për transportimin e tyre drejt qendrës së vlerësimit.
Merr në dorëzim testet nëpërmjet një procesverbali që firmoset nga tre përfaqësuesit e grupit monitorues si edhe nga personi i sektorit të administrimit të testeve në AKP, i cili bën dorëzimin e tyre.
Qëndron në mjediset e qendrës së vlerësimit gjatë procesit të korrigjimit dhe raporton në institucionet përkatëse.
Personat që bëjnë pjesë në grupet e monitorimit të procesit të korrigjimit të provimeve të Maturës Shtetërore 2011 për secilën qendër vlerësimi, caktohen nga ministri i Arsimit.
Periudha e monitorimit dhe grafiku i paraqitjes së përfaqësuesve të grupit monitorues në AKP është:
Për lëndën “Gjuhë dhe letërsi shqipe”, 3-13 qershor 2011
Për lëndën “Matematikë”, 17-30 qershor 2011
Për lëndët me zgjedhje, 2-10 korrik 2011