E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çahet minoriteti, grupi kundër Bollanos krijon partinë “MEGA”



Krijohet në Sarandë partia “Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen”, MEGA. 27 themeluesit kanë firmosur dje aktin e krijimit të forcës më të re politike, një hap ky që sipas firmëtarëve çon përpara përpjekjet e tyre për t’i dhënë minoritetit etnik grek në Shqipëri, një parti të re me bazë dhe profil të pastër etnik. Nismëtarë të këtij aksioni politik, janë persona që kanë qenë dhe janë ende pjesë e këshillit të përgjithshëm të organizatës politike “Omonia”, por që, siç u shprehen vetë ata, mendojnë ndryshe nga “grupi Bollano”. Por këtij grupi, në këtë nismë politike, u janë bashkuar edhe të zgjedhur në qeverisjen vendore të disa komunave me popullsi etnike greke, në qarkun e Vlorës dhe atë të Gjirokastrës, si dhe biznesmenë të ndryshëm që operojnë në këto dy qarqe. Edhe pse takimi i së shtunës paradite u mbajt larg vëmendjes dhe pa praninë e mediave, madje edhe të atyre në gjuhën greke, nga burime konfidenciale është mësuar se mes firmëtarëve që firmosën për krijimin e partisë së re kishte ish-ministra e ish-deputetë të PBDNJ apo të “Omonia-s” në vitet e para të pluralizmit politik,ku mes emrave të njohur ishin ai i ish-ministrit të Punës, Kosta Barka, ish-deputeti Thoma Miço, kryetarja e komitetit kombëtar të Minoriteteve pranë Qeverisë, Kostandina Bezhani, kryetari i komunës së Finiqit, Ziso Lluci etj. “Në këtë mbledhje u zgjodh bordi i parë drejtues, i cili sipas Statutit do të drejtojë gjithë veprimtarinë organizative dhe politike të partisë deri në zgjedhjet e përgjithshme me parimin “një anëtar – një votë”. Grupi nismëtar theksoi me përgjegjësi se kjo parti i ka dyert të hapura për të gjithë minoritarët greke dhe miqtë e tyre, dhe se në gjithë veprimtarinë e saj do të respektojë me korrektësi parimet e demokracisë së brendshme dhe sidomos verdiktin e popullit, pasi i drejtohet atij dhe vetëm atij për të përzgjedhur udhëheqjen dhe organet kolegjiale”, thuhet në njoftimin për shtyp të partisë së re “MEGA”. Gjithashtu bëhet e ditur se formacioni i ri politik konsiderohet vijimësi e organizatës “OMONIA”, e ngritur në një nivel më të lartë organizativ dhe me përgjegjësi për përfaqësim politik të minoritetit. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›