I zhdukur prej 1 jave, ekzekutohet
KURBIN/ ROLAND NIKOLLI
Ekzekutohet me 2 plumba 30-vjeçari nga Kodër-Kamza. Trupi i pajetë i Osman Berberit u gjet në këmbët e urës së Matit në Milot, nga një bari 13-vjeçar, pak ditë pas krimit. Ai i tmerruar ka lajmëruar familjen e tij e më pas policinë, së cilës i janë dashur disa orë për të identifikuar kufomën. Një tatuazh dhe një emër në portofol kanë qenë gjurmët që çuan hetuesit deri në zbardhjen e identitetit të viktimës. Ai ishte zhdukur një javë më parë nga shtëpia, por mbrëmë policia nuk kishte asnjë të dhënë mbi autorët dhe shkaqet e krimit makabër. Mësohet se trupi i pajetë i Berberit u gjet rreth mesditës së djeshme nga një bari. E.Gega ka treguar për policinë se po kulloste dhitë përgjatë lumit Mat, në afërsi të urës me harqe, e njohur ndryshe edhe si ura e mbretit Zog. Papritur ka vënë re trupin e një njeriu të pajetë, i dëmtuar pjesërisht në kokë e trup. Nga frika ka dalë menjëherë në rrugën nacionale e më pas në shtëpi, ku ka vënë alarmin për atë që kishte parë. Policia e Kurbinit ka qenë e para që ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke konstatuar se kufoma i përkiste një shtetasi mashkull, rreth 30 vjeç. Menjëherë janë vënë në dijeni specialistët e krimeve të rënda të Policisë së Lezhës dhe ekspertët. Nga këqyrja e parë ata kanë nxjerrë përfundimin se viktima ishte qëlluar me dy plumba në kokë, në pjesën e sipërme të saj. Në krahun e djathtë, i vrari kishte të shkruar në tatuazh emrin Elsa. I njëjti emër është gjetur dhe pas një fotografie të një vajze rreth 1 vjeç, në xhepin e pantallonave të tij. Sipas policisë, koka dhe një pjesë e qafës ishin të dëmtuar, ndoshta nga hedhja e trupit nga një lartësi e madhe ose nga kafshët e zonës. Në vendin e ngjarjes janë thirrur edhe banorë për të mundësuar njohjen e kufomës, por asnjë prej tyre nuk ka pohuar se e njihte. Policia hodhi dyshimin se ai ishte vrarë në një vend tjetër pak ditë më parë, e më pas është hedhur poshtë urës së Matit. Trupi u nis për ekspertizë në morgun e Tiranës, ndërkohë që komisariatet e të gjitha rretheve nisën verifikimet për personat e zhdukur ditët e fundit. Nga policia e Tiranës është mësuar se më 21 shkurt, familjarët e Osman Berberit, me origjinë nga Lushnja dhe banim në Kodër-Kamëz kishin deklaruar largimin e tij pa adresë. Pas krahasimit me trupin që ndodhej në morg është bërë i mundur identifikimi i 30-vjeçarit. Familjarët janë marrë menjëherë në pyetje nga policia për të mësuar mbi momentet e fundit para zhdukjes së Berberit dhe nëse ka pasur konflikte të mëparshme. Nga verifikimet e policisë, Berberi ishte penalizuar më parë për akuzën e vjedhjes.
7 dite
para gjetjes së trupit, policia kishte marrë denoncimin nga familja e 30-vjeçarit Osman Berberi, si i zhdukur në rrethana misterioze