E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantët, 5 ditë kohë për të plotësuar Formularin A2

 

Vonesa në korrigjimin e testit të Matematikës, sjell anomali në plotësimin e Formularit A2

Publikimi i pikëve të Matematikës më 4 korrik, kufizon mundësitë e maturantëve për të menduar saktë degët ku studiojnë

Paçka se Formulari A2 ka disa ditë që ka nisur të shpërndahet në shkolla, koha në dispozicion të maturantëve për të plotësuar këtë formular është e pakët. Një shkresë e dërguar së fundi nga MASH, në Drejtoritë Arsimore Rajonale, bën të ditur se maturantët do të munden t’i marrin përgjigjet e testeve të dy provimeve me detyrim, vetëm në fillim të muajit korrik. Përkatësisht, për shkak edhe të kohëzgjatjes së korrigjimit, pikët e testeve të vlerësuara në provimin e Gjuhë-Letërsisë, do të shpallen në shkolla, më datë 26-27 qershor. Të paktën kështu thuhet në shkresën që Ministria e Arsimit ka përcjellë në Drejtoritë Arsimore në rrethe, ndërsa zëra të ndryshëm brenda sektorit të arsimit shprehen për gazetën “Shekullin” se mund të kemi një përshpejtim të afatit të publikimit të pikëve të marra në testimin e Gjuhë-Letërsisë. Por problemi në këtë rast, nëse mund të quhet i tillë, nuk është vonesa në publikimin e pikëve të Gjuhë-Letërsisë, por vonesa që mund të vijë nga korrigjimi i testit të Matematikës. MASH, ka njoftuar Drejtoritë Arsimore Rajonale, se pikët e provimit të dytë me detyrim në lëndën e Matematikës do të fillojnë të publikohen në shkollat e mesme më datën 3-4 korrik. Duke e parë në këtë këndvështrim, maturantët, duke qenë se afati i fundit për të dorëzuar Formularin A2 është data 9 korrik, do të kenë në dispozicion për të plotësuar formularin në të cilin janë vendosur preferencat jo më shumë se 5 ditë kohë, që është e pamjaftueshme për të bërë një përzgjedhje të duhur të degëve, ku kërkojnë të ndjekin studimet e larta

Që në momentin e parë të shpërndarjes së Formularit A2, në shkollat e mesme, maturantët janë këshilluar që të mos e plotësojnë këtë formular pa pasur në dorë fillimisht pikët e dy testeve të zhvilluara në lëndët e Gjuhë-Letërsisë dhe Matematikës. “MASH këshillon të gjithë maturantët, të presin shpalljen e rezultateve të provimeve të detyruara Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë, para se ta plotësojnë këtë formular, për të zgjedhur 10 programet e preferuara në bazë të pikëve të grumbulluara”. Kjo është këshilla që Ministria e Arsimit ka sugjeruar për maturantët që kërkojnë të ndjekin studimet e larta, duke mos llogaritur si duhet kohën që këta të fundit kanë në dispozicion për të plotësuar Formularin. Gjatë 5 ditëve që kanë në dispozicion për të plotësuar formularin ku janë vendosur programet e studimit për në shkollat e larta, maturantët duhet fillimisht të shikojnë pikët që kanë arritur të marrin në të dy testet. Më pas, për të zgjedhur preferencat e mundshme, që mund t’i çojnë në ndjekjen e studimeve të larta, ata duhet të bëjnë një llogaritje paraprake të pikëve, si edhe një studim të pikëve minimale të fituara nga maturantët gjatë pranimeve në vitin akademik 2007-2008. Krahas kësaj, maturantëve, përpara se të plotësojnë 10 preferencat në kuadratin e programit të studimit, do t’u duhet të bëjnë një këshillim paraprak me mësuesit kujdestarë dhe prindërit. Të gjithë detajet e mësipërme, në vetvete, kërkojnë një kohë jo të vogël për t’u menduar nga maturantët, ndërkohë që koha në dispozicion për të plotësuar në mënyrë të kthjellët kuadratet e preferencave, nuk është në favor të tyre.

***

Një tjetër problem shqetësues për maturantët, është edhe mos shpallja në kohë nga Këshilli i Ministrave e kuotave të pranimit për në institucionet e arsimit të lartë publik. Megjithëse është përfolur për rritje prej 10 për qind të numrit të pranimeve, maturantët, enden nuk kanë një informacion të saktë lidhur mbi kuotat për secilën degë. Në këtë aspekt, atyre u duhet të plotësojnë Formularin A2 - ku ndodhen programet e studimeve, me hamendje - gjë që mund të sjellë probleme në etapat e mëtejshme. Në vitin akademik 2007-2008, kuotat e pranimit në shkollat e larta janë miratuar nga Këshilli i Ministrave në muajin qershor, ndërsa këtë sezon ende një gjë e tillë nuk është aprovuar nga organi më i lartë ekzekutiv në vend.

Më 3 korrik fillon “ngujimi” i tretë i specialistëve në AVA. 2 mijë maturantë të vjetër shtohen në listë për të dhënë provimet me zgjedhje

Provimet me detyrim, ngelësit shlyejnë detyrimet me zgjedhje më 2010

AVA, vendos larg njëri-tjetrit maturantët që kanë zgjedhur të njëjtat lëndë me zgjedhje

Data 3 korrik do të shënojë ngujimin e radhës për specialistët e arsimit që do merren me hartimin e testeve të provimeve me zgjedhje. Në ndryshim nga provimet me detyrim, në këtë proces, për shkak edhe të numrit të lartë të provimeve që do të jepen, do të angazhohen rreth 25 specialistë të arsimit.

Sikurse është vepruar edhe në provimet me detyrim, përgjatë gjithë kohës së ruajtjes së sekretit të testit, specialistët nuk do të lejohen për asnjë moment të kenë kontakt me ambientin e jashtëm. Ushqimi, fjetja dhe të gjitha nevojat e tjera ditore që do të kenë specialistët, do të merren përsipër nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave. Në qendrën e hartimit të testeve, përgjatë kohës së formulimit të testeve të 9-lëndëve me zgjedhje, do të jetë në funksion vetëm një telefon, i cili do të jetë i përgjuar. Të drejtën për të komunikuar me Ministrinë e Arsimit do ta ketë vetëm Drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve. Secili provim do të ketë 20 pyetje, ku 10 do të jenë me alternativa dhe po kaq me zhvillim. Vlerësimin më të lartë, do ta kenë pyetjet me zhvillim, të cilat do të vlerësohen me 2 ose 3 pikë, ndërsa pyetjet me alternativa do të vlerësohen me 1 pikë.

***

Rregullat strikte do të mbeten në fuqi edhe për provimet me zgjedhje. Në një ditë do të jepen 9 provime, të natyrave të ndryshme. Më datë 10 korrik, provimeve në lëndët Gjeografi, Histori, Njohuri për Shoqërinë, Njohuri për Ekonominë + Filozofi, Gjuhë Angleze, Gjuhë Frënge, Fizikë, Kimi, Biologji, në ndryshim nga pjesëmarrja në dy provimet me detyrim, do t’i nënshtrohen rreth 35 mijë maturantë, ose 2 mijë nxënës më shumë. Ky numër është më i lartë se provimet me detyrim, për shkak se provimeve me zgjedhje i shtohen edhe ata maturantë që kanë përfunduar shkollën vite më parë, por që për arsye të fillimit të studimeve të larta, duhet të rijapin provimet me zgjedhje. Vetëm në Tiranë, numri i maturantëve që do t’i nënshtrohen provimeve me zgjedhje do të jetë rreth 7 400, nga të cilët, 1100 do të jenë maturantë që kanë përfunduar shkollën para vitit mësimor 2007-2008. Për t’u ndalur të rregullat, specialistët e arsimit kanë vënë në dijeni se, megjithëse provimi do të zhvillohet në një ditë vetme, organizimi do të jetë i njëjtë, ashtu sikurse në provimin me detyrim. Lista e maturantëve, e sjellë nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve, do të rendisë maturantët në klasa, ndërkohë që nuk do të lejohen të qëndrojnë bashkë maturantë që kanë zgjedhur në Formularin A1, lëndë të njëjta me zgjedhje.

***

Në provimet me zgjedhje, nuk do të lejohet të futet asnjë nxënës që rezulton mbetës, qoftë edhe në njërin nga dy provimet me detyrim të Maturës Shtetërore. Ky nxënës, sipas Rregullores së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave, do t’i japë lëndët e detyruara riprovim në sesionin e dytë. Vetëm nëse arrin t’i marrë provimet në sesionin e dytë, maturanti ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje gjatë vitit të ardhshëm. Përsa i përket maturantëve që kapen duke u kopjuar, MASH, ka vendosur që këta nxënës të pezullohen nga e drejta për të dhënë provimet me detyrim dhe zgjedhje për dy vite me radhë. Pra, nëse një maturant kapet duke kopjuar në provimet e Maturës Shtetërore, në këtë sezon, do të duhet t’i shlyejë detyrimet në vitin mësimor 2009-2010.

Retrospektivë

Matura 2007, shija e hidhur e protestave

Kush e mban mend Maturën 2007, me siguri nuk i ka harruar protestat e gjata të maturantëve në dyert e Ministrisë së Arsimit. Fillimisht ato nisën për shkak të problemeve në provimin e Gjuhë-Letërsisë, ku maturantë, jo vetëm nga Tirana, pretenduan se nuk ishin vlerësuar drejt nga korrigjuesit e testeve. Ata shprehën pakënaqësinë e tyre lidhur mbi formulimin e testit, i cili sipas tyre linte vend për shumë kuptime. Ky problem, megjithëse i lokalizuar vetëm në pak shkolla u shfaq këtë vit edhe në provimin e Gjuhë-Letërsisë, ku maturantët u ankuan për mos rakordim të fragmentit të mësuar në shkollë me atë të rënë në test. Ata i dërguan një ankesë Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që kjo e fundit iu përgjigj se duhet të lexonin të gjithë librin, duke harruar reformën Altertekst, ku secila shkollë ka të drejtë të përzgjedhë vetë librat me të cilët duhet të mësojnë nxënësit e saj. Por ky ishte problemi më i vogël që u vu re gjatë vitit të kaluar. Situata u agravua pas shpalljes së listës së pranimeve për në universitete, ku shumë nxënës me rezultate të mira në shkolla ngelën jashtë dyerve të universiteteve, çka solli edhe reagimin e tyre. Për ditë me radhë, ata protestuan në dyert e Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që kjo e fundit vendosi të rishpërndajë edhe njëherë studentët në universitete

Precedenti

Matura, shkeljet në Durrës rritën efiçencën në provime

Jo më larg se një muaj më parë, Drejtoria Arsimore Rajonale, Durrës, ka përjashtuar nga procesi i administrimit të provimeve të Maturës Shtetërore mbi 30 mësues. Shkak për këtë përjashtim janë bërë shkeljet e shumta administrative, të vërejtura në zhvillimin e procesit të Maturës Shtetërore gjatë vitit të kaluar. Në një studim të kryer në disa shkolla, nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve, në këtë rreth ka rezultuar se ka pasur një mospërputhje të madhe të notës së dalë nga provimet e Maturës dhe atyre të marrë në shkollë. Kjo i ka lënë të dyshojë specialistët e arsimit, se në këtë rreth janë bërë lëshime të patolerueshme në procesin e administrimit të provimit të maturës, gjë që ka ndikuar në rritjen fiktive të pikëve të fituara nga maturantët. Për të shmangur precedente të tilla, MASH, ka vendosur që gjatë këtij viti, administratorët që konstatohen se kanë lëshuar në provimet e maturës, të mos pezullohen thjesht nga procesi i administrimit të provimeve, por të përjashtohen edhe nga arsimi. Deri më tani, duket se kjo masë ka funksionuar, të paktën për Tiranën. Muhamet Mesi, inspektor i ngarkuar për administrimin e Maturës Shtetërore në Drejtorinë Arsimore Rajonale në Tiranë, është shprehur në një prononcim për gazetën “Shekulli” se gjatë zhvillimit të dy provimeve me detyrim, nuk është vërejtur asnjë anomali. Po kështu, nuk ka pasur asnjë ankesë nga maturantët për mbarëvajtjen e provimeve, ndërkohë që sipas inspektorit Mesi, edhe sikur të ketë vetëm një ankesë të vetme, administratori do të pezullohet nga pjesëmarrja në administrimin e provimeve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›