E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruevski: Çështja e emrit, thelbësore për koalicionin

Lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski thotë se që nesër, kur dhe pritet ta marrë mandatin për formimin e qeverisë së re do të fillojë konsultimet se cila parti shqiptare mund ta pranojë programin 'Rilindja në 100 hapa 2008-2012”.

Gruevski thotë se do të shohë se cilat do të jenë pikëpamjet e tyre për 4 vitet e ardhshme për të gjitha çështjet, përfshi këtu edhe ato më të ndjeshmet. Në mesin e tyre sipas tij, është edhe çështja e emrit.

Të gjitha detajet do të jenë në tavolinën e bisedimeve dhe në fund partia do të marrë vendimin përfundimtar për koalicion, tha Gruevski duke shtuar se dëgjohen zëra nga kundërshtarët e tij se partneri shqiptar do të bëjë presion për ndryshimin e qëndrimit për këtë çështje.

“Së pari partneri shqiptar sigurisht se nuk do të dëshirojë të marrë vendim me të cilin shumica e qytetarëve në Maqedoni do të kenë problem, kundërshtim të fuqishëm dhe frustracione”, thotë Gruevski në intervistën për MIA-n.

Së dyti partneri shqiptar sipas Gruevskit në asnjë rast nuk është më shumë i brengosur ose i përkushtuar për realizimin e prioriteteve që Maqedonia të jetë anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe kjo tezë konfirmon angazhimin e partive maqedonase për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike dhe nga ana tjetër angazhimi i njëjtë i partive shqiptare.

“Gatishmëria për të çuar një proces para sa më parë tregohet me vepër e jo me fjalë” thotë Gruevski.

Dhe e treta sipas Gruevskit duke pasur parasysh raportet e forcave në parlament nuk vlejnë tezat se partneri shqiptar do të bëjë ndonjë kthesë për këtë çështje.

“Megjithatë, duhet të theksoj se nuk do të jetë për mua e njëjtë nëse partnerët në Qeveri kanë qëndrime të kundërta rreth çështjes së emrit”, thotë lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›