Sarandë, zjarr në ish-zonën ushtarake
Sarandë- Një zjarr ka përfshirë pak minuta më parë një zonë ish ushtarake në periferi të Sarandës. Sipas burimeve policore për fat flakët që nisën të bëhen të fuqishme nuk shkaktuan dëme në shtëpi apo në njerëz, por vetëm në pyllin me pisha. Sarandë, zjarr në ish-zonën ushtarake
Zjarri ra në lagjen që njihet me emrin “Lugu i Dardhës”, te Kamina e gëlqeres.
Fillimisht banorët përreth kanë parë vetëm flakët e më pas zjarri u bë shumë i fuqishëm. Të favorizuar edhe nga era, flakët nisën të përhapen në faqen e malit të Heremecit, duke përfshirë masivin e mbjellë me pisha.
Nga banorët është njoftuar policia e më pas me urgjencë edhe zjarrfikësja, e cila një vonese të vogël për shkak të ujit ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Mësohet se ende po punohet për lokalizimin e vatrës dhe shuarjen e flakëve të zjarrit që kanë përpirë masivin e pishave. “Jemi ende në punë e sipër, por dëme në banesa nuk ka”- thonë burimet zyrtare nga policia lokale.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se aktualisht është parandaluar rreziku i djegies së shtëpive, pasi zjarri ka rënë në skajin verilindor të qytetit, larg zonës së banuar. Zona ku ra zjarri ka qenë dikur zonë e reparteve ushtarake. “Në këtë zonë kanë qenë kryesisht pikat e hapjes, dhe jo reparte me municione të mëdha”- thonë burime.
Burimet nga grupi hetimor bën me dije se ende nuk ka një përcaktim për shkqet e zjarrit. Në hetim janë të gjitha pistat e mundshme, duke përfshirë pakujdesinë apo ndonjë cigare e hedhur ndezur në këtë territor. “Flakët janë favorizuar padyshim nga temperaturat e larta që mbajtën këtë ditë”- shtojnë më tej të njëjtat burime.