PS kritikon punën e policisë, përgjigjet Basha
Partia Socialiste i ka bërë dje thirrje qeverisë që të angazhohet maksimalisht në gjetjen e vogëlushes 6–vjeçare nga Kukësi, Bleona Mata, e cila rezulton e zhdukur që prej 12 ditësh. Deputeti socialist i Kukësit, Asllan Dogjani, ka denoncuar dje ndër të tjera edhe mungesën e profesionalizimit të forcave të policisë, që sipas tij në përpjekje për të zbehur dështimin po synojnë shumimin e çështjes. “Ne të gjithë si qytetarë dhe prindër jemi thellësisht të prekur nga pafuqia e forcave të rendit për të nxjerrë në dritë rrethanat misterioze të zhdukjes së 6-vjeçares...PS shpreh shqetësimin për mungesën e profesionalizmit dhe tendencën e strukturave të policisë së shtetit për ta sfumuar ngjarjen nëpërmjet deklaratave të ndryshme dhe shpeshherë kontradiktore vetëm e vetëm për t’i shpëtuar përgjegjësisë përpara opinionit publik”, tha Dogjani. Më tej, deputeti opozitar e ka konsideruar ngjarjen në fjalë si shprehje të pasigurisë në vend, e cila sipas tij, është rritur ndjeshëm kohët e fundit.
Kësaj deklarate të deputetit socialist i është përgjigjur gjatë seancës së djeshme plenare ministri i Punëve të Brendshme, Lulzim Basha, i cili akuzoi socialistët se po përdorin politikisht këtë ngjarje. Basha tha se Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht në kërkimin e vajzës 6 vjeçe nga Kukësi dhe se hetimet vazhdojnë në mënyrë intensive. Ministri falënderoi nga foltorja e Kuvendit, qytetarët e shumtë që kanë dhënë ndihmesën e tyre për operacionet policore që nuk janë ndalur për asnjë moment.
#