Varri masiv , eshtrat e të pushkatuarve në Dajt ende pa emër
TIRANË - Eshtrat e gjetura në malin e Dajtit kanë ngelur pa emër dhe asnjë njeri nuk është paraqitur për t’u interesuar. Sipas të dhënave, Mjekësia Ligjore ka përfunduar procesin e saj të parë për përcaktimin e eshtrave të gjetura në malin e Dajtit dy muaj më parë. Gjatësia, seksi, mosha dhe koha e përafërt se kur mund të jenë vrarë janë në evidencat e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Por, ndërsa pritej një interesim më i madh nga familjarët e të pushkatuarve, rezultatet kanë qenë negative. Kjo mbase edhe nga mungesa e informacionit për procedurën që duhet ndjekur. Për të identifikuar këto trupa, të afërmit duhet të paraqiten pranë Mjekësisë Ligjore për t’u njohur me disa prej gjeneraliteteve të përcaktuara deri tani. Dhe në kushtet që i afërmi i tij i përafrohet në bazë të të dhënave të njohura viktimës, atëherë i bëhet ADN-ja për ta përcaktuar atë edhe nga mënyra ligjore dhe shkencore. Mirëpo kjo mënyrë nuk është futur ende në përdorim pasi nuk është paraqitur asnjë prej të interesuarve pranë Institutit. Në këtë hetim, as prokuroria nuk mund të ndihmojë për shkakun se koha e përcaktuar e ekzekutimeve i përket periudhës së komunizmit. As prokurorët nuk kanë të drejtën e hapjes së ndonjë arkivi ku mund të gjejnë të dhëna për këto ekzekutime, apo të marrin në pyetje anëtarë të togës së pushkatimit që mund të jenë persona në dijeni. Çështja ka mbetur po aty ku ishte edhe pas një interesimi të qeverisë dhe Parlamentit shqiptar pak ditë pasi ishin gjetur eshtrat. Edhe pas premtimeve qeveria nuk ka gjetur ndonjë mekanizëm të mundshëm për të dhënë mundësinë e identifikimit të eshtrave.
Ekzistenca e varrit masiv u bë e ditur pasi djemtë e dy prej të ekzekutuarve nga regjimi komunist në vitin 1976 kryen gërmime masive private në kërkim të eshtrave të baballarëve. Eshtrat e gjetura të 19 njerëzve u dorëzuan në Morgun e Tiranës. Këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes zbuloi një pjesë tjetër kafke. Shqipëria është një nga pak vendet përtej Perdes së Hekurt që nuk i ka hapur arkivat e shërbimit sekret të kohës së komunizmit. Askush nuk i ka numëruar me të vërtetë të ekzekutuarit apo të burgosurit, kështu që nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e tyre. Nuk ka as ndonjë statistikë se sa qenë të ekzekutuar për të ashtuquajturat “krime ordinere” dhe sa për “krimet politike”. Shoqatat e ish-të persekutuarve politikë besojnë se 5577 burra dhe 450 gra u ekzekutuan përgjatë 45 viteve të sundimit komunist.
Itali
Aksidenti, vdes edhe shqiptarja shtatzënë
MODENA - Përkeqësohet bilanci i aksidentit të rëndë rrugor që ndodhi dy ditë më parë në një rrugë pranë Modenës në Itali, ku humbi jetën një nënë shqiptare 37 vjeçe dhe fëmija i saj 10 vjeç. Agjencitë italiane të informacionit bëjnë të ditur se një tjetër viktimë e aksidentit është dhe një shtetase tjetër shqiptare 20-vjeçare, shtatzënë, me iniciale M. Hekuri. Siç mësohet, e reja po udhëtonte në një makinë me dy viktimat e tjera dhe pas aksidentit u përcoll në gjendje tepër të rëndë shëndetësore në spital. Por nuk u mbijetoi dot plagëve duke humbur jetën paraditen e djeshme. Siç bëhet e ditur nga Policia italiane, në makinën e aksidentuar ndodheshin gjashtë emigrantë shqiptarë. Mediat bëjnë të ditur dhe identitetin e viktimave, Bukuroshe Hekuri, 37 vjeçe dhe djali i saj dhjetë vjeç Mauritius Hekuri. Të gjithë shqiptarët udhëtonin me një automjet tip “Citroen” rrugës drejt Modenës, ku u përplasën me një automjet tip “Alfa Romeo” ku udhëtonin dy shtetas italianë. Asnjë nga italianët nuk ka pësuar dëmtime serioze, bëjnë të ditur mediat italiane. Përplasja ka qenë frontale dhe për pasojë fëmija ka humbur jetë menjëherë, ndërsa gruaja ka vdekur ndërsa transportohej drejt spitalit.
Shkëmbim me armë, pranga të plagosurit, i riu në kërkim
LEZHË - Një sherr i momentit për pak nuk është kthyer në një tragjedi. Dy ditë më parë një 21-vjeçar dhe një 42-vjeçar janë zënë me njëri-tjetrin për shkaqe banale, dhe pikërisht për këtë gjë, ky i fundit ka shkuar dhe ka marrë një armë në banesë. I pajisur me armë zjarri, është nisur të vrasë një person, por në konflikt e sipër ka mbetur i plagosur rëndë prej tij. Bëhet fjalë për 42-vjeçarin Ndue Rrasa, banues në fshatin Ishull-Lezhë, i cili, pranë një lavazhi, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë më armë zjarri 21-vjeçarin Feliks Lekaj, edhe ky banues i këtij fshati të Lezhës. E ndërsa ka shkëmbyer zjarr me të, ka mbetur i plagosur rëndë nga 21-vjeçari, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkaq, bëhet me dijeni se Rrasa tani është jashtë rrezikut për jetën dhe aktualisht po kurohet në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ndërsa Feliks Lekaj është shpallur në kërkim. Materialet e mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
Gazeta britanike: “Shqiptarët të vrasin për 500 sterlina”
LONDËR - Një shkrim skandaloz është botuar nga gazeta britanike "People", që u referohet shqiptarëve, me titull "Gangsterët që vrasin për 500 sterlina". Shkrimi u referohet thënieve të një krimineli të njohur londinez, të quajtur Dejv Kërtni. Ai është arrestuar dhe është marrë në pyetje nga policia. Gjatë deklarimeve të tij ai ka treguar se kishte hequr dorë nga vrasësit e shtrenjtë pasi shqiptarët merrnin shumë pak dhe e çonin punën gjithmonë në fund. Kërtni, sipas gazetës, ka thënë se nëse të vrisje me pagesë një person, dikur kushtonte 15 mijë sterlina, tashmë mund të gjendet lehtë një shqiptar nga Kosova që ta kryen punën me 500 sterlina. Ndërsa pak ditë më parë, ambasadori shqiptar në Londër, Zef Mazi, gjatë një takimi me të rinj, kritikoi ashpër mediat britanike, që sipas tij, në asnjë rast nuk kanë shkruar për shqiptarët e suksesshëm në Britaninë e Madhe.
27 Prill 2010