E Diel, 1 Nëntor 2026

GRABITJA, vidhet me armë kazinoja, dhunë ndaj punonjësit që kundërshtoi



FIER - Grabitet një kazino në qytetin e Fierit. Persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur në orët e para të mëngjesit të djeshëm një lokal lojërash fati në qytetin e Fierit. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në orën 04:00, në lagjen “29 Nëntori” të Fierit, ku të paktën dy persona kanë hyrë në kazino dhe u kanë vënë armët në kokë punonjësve. Burime të policisë thanë se autorët e ngjarjes kanë ushtruar dhunë fizike ndaj njërit prej punonjësve duke e detyruar të dorëzonte të gjitha paratë e grumbulluara në arkë, pasi kishte bërë rezistencë. Dy grabitësit, që mendohet të jenë të rinj, pasi kanë marrë paratë, janë larguar me makinë nga vendi i ngjarjes. Ndërkaq, punonjësve të kazinosë nuk u ka ngelur gjë veç të njoftonin uniformat blu dhe në vendin e ngjarjes kanë mbërritur disa patrulla. I lënduari është përcjellë për në spital, ku ka marrë ndihmën e nevojshme, ndërsa policia ka nisur hetimet. Ata kanë treguar për policinë se grabitësit ishin dy persona që kishin venë maska. Ata kanë qenë të armatosur. Sapo kanë hyrë në ambientet e lojërave të fatit ata kanë kërcënuar personat që kanë qenë aty, ku njërin e kanë lënduar.
Ngjarja
Kanë hyrë me maska dhe me armë në një lokal për të vjedhur, por kanë mbetur të zhgënjyer kur zbuluan se mundimi i tyre shkoi huq, pasi kasaforta ishte bosh. Të inatosur ata kanë goditur më pas punonjësin e lokalit, 25-vjeçarin Ervis T., duke i marrë portofolin që mbante në brez, ku i ndodheshin 70 mijë lekë dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Fierit dhe sipas burimeve policore njoftohet se grabitja u krye në lokalin e lojërave të fatit në pronësi të një personi me inicialet S. M. Detajet e ngjarjes tregojnë se kanë qenë dy persona rreth moshës 25 vjeç, të maskuar me kokore, të cilët dyshohet se me përdorim të armës, kanë kërcënuar punonjësin e këtij lokali duke i kërkuar që të hapë kasafortën dhe t’u japë lekët. Pasi panë se ajo ishte bosh, ndodhi edhe grabitja e parave të lartpërmendura në portofolin e personit që ndodhej aty. Më pas kanë dalë jashtë, i kanë hipur makinës dhe me shpejtësi janë larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas dëshmive, personat që ndodheshin në lokal nuk kanë mundur që të marrin targën e makinës apo të dallojnë llojin e saj. Kjo ka ndodhur pasi makina ishte lënë në errësirë dhe nuk kishte asnjë dritë aty afër.
Policia
Menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen, uniformat blu kanë mbërritur në vendin e krimit. Ata kanë nisur hetimet duke marrë në pyetje personat që ndodheshin aty, konkretisht punonjësit e kazinosë së grabitur. Ata nuk kanë dhënë një shumë lidhur me sasinë e parave të grabitura në sallën e lojërave të fatit, por mendohet të kenë qenë rreth 70 mijë lekë të vjetër. Grabitja ka ndodhur në kohën kur personeli i kazinosë ka qenë duke bërë mbylljet e fundit, pas xhiros ditore që kishin bërë. Sipas dyshimeve të para, policia ka arritur në përfundimin se personat e kanë studiuar grabitjen dhe kanë pritur momentin kur lokali do të mbyllej, me qëllim që të merreshin të gjitha paratë dhe të mos kishte shumë njerëz. Ende nuk ka emra në lidhje me dy personat, por policia ka marrë disa të dyshuar në pyetje. Ajo ka shoqëruar disa të rinj të njohur si kontingjent krimi, të cilët i ka pyetur rreth ngjarjes, duke u kërkuar dhe informacion. Siç mësohet nga burime zyrtare, ende nuk ka emra konkretë në lidhje me këtë ngjarje. Mendohet që autorë të jenë njerëz që kanë lënë shuma parash në kazino dhe më pas i kanë marrë sërish, por jo duke i fituar, por grabitur. Grabitja e lokaleve të lojërave të fatit, njohur ndryshe e emrin kazino, është kthyer kohët e fundit në një fenomen të rëndomtë. Para pak ditësh një i tillë u grabit në Tiranë, pranë rrugës “Myslim Shyri” dhe një tjetër në Korçë. Grabitjet kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit.

Aksionet
Kapen me drogë, arrestohen tre të rinj
KAVAJË - Policia ka vënë në pranga 3 persona për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Burime zyrtare thanë se janë arrestuar Arli Leka, Arbër dhe Nurijan Kloçi. Nga të dhënat mësohet se efektivët e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë bërë arrestimin në flagrancë të Arli Lekës, 19 vjeç, banues në Tiranë. Prangosja e tij është bërë pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij në Golem të Kavajës u gjet një sasi prej 9 gramësh bimë narkotike e dyshuar e llojit marijuanë. Sasia e drogës është sekuestruar si provë materiale. Gjithashtu në Kavajë është bërë dhe ndalimi i shtetasit Arbër Kloçit, 23 vjeç, banues në Golem, Kavajë. Arrestimi i tij u bë se rreth orës 11:00 të dy ditëve më parë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në Golem, Kavajë, u gjetën 17 qese farmacie me bimë narkotike të dyshuar e llojit marijuanë, me peshë 59.5 gramë, me gjithë ambalazh. Po në këtë banesë janë gjetur të kultivuara në 4 kova boje, 16 bimë narkotike të dyshuara të llojit Cannabis sattiva. Po ashtu është arrestuar dhe vëllai i 23-vjeçarit. Policia e Kavajës ka bërë të ditur se është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i Nurijan Kloçit, 28 vjeç, banues në Golem, Kavajë. Ndalimi është bërë pasi rreth orës 11:00, gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të urës së Golemit i është gjetur një kuti pakete cigaresh ku brenda së cilës kishte dy qese farmacie, në të cilat kishte bimë narkotike e llojit marijuanë, me peshë 3.9 gramë dhe 3.6 gramë. Gjatë arrestimit të tij janë sekuestruar si prova materiale droga e gjetur dhe një aparat telefoni “Motorola”, si dhe një kartë telefoni celular “Vodafone”. Ndaj tre të arrestuarve policia mësohet se ka ngritur akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Dosjet me materiale në ngarkim të të rinjve janë dërguar në Prokurorinë e Kavajës, e cila do të bëjë hetime në lidhje me këta shpërndarës.

27 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›