E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e ilaçeve "paralizon" spitalin

Spitali i Bulqizës po shkon drejt mbylljes. Mungesa e ilaçeve dhe mjekëve, kryesisht atyre të specialiteteve, po bën që godinës ku ngrihet spitali, shumë shpejt t‘i vihet kyçi. Në të gjitha pavijonet e spitalit mungojnë ilaçet dhe pajisjet mjekësore, madje dhe ato më elementare. Gjendja është vërtet alarmante për ata pak pacientë që kurohen në spital, të cilët po përballen çdo ditë me mungesën e ilaçeve, deri dhe pamundësinë për të bërë qoftë edhe një injeksion të vetëm.

Pacientët tregojnë se të afërmit e tyre janë të detyruar të blejnë ilaçet në farmacitë e qytetit, për kurimin e tyre.

Ata thonë se në kushte të tilla, kurimi në spital ka pak ndryshim nga ai që mund të merrnin në kushtet e shtëpisë.

Burime nga ky spital konfirmojnë për gazetën "Shqip" se shkak për mungesën totale të medikamenteve mjekësore është bërë moszhvillimi i tenderit të ilaçeve. Procedurat duhet të ishin zhvilluar në fillim të vitit dhe, ndonëse kemi hyrë në gjashtëmujorin e dytë, nuk është bërë ende asgjë. Kjo ka bërë që spitali i Bulqizës të ketë një krizë të thellë dhe "de facto" të konsiderohet i mbyllur. Nëndrejtori ekonomik spitalit, Hasan Koleci, shprehet se situata ka ardhur pas neglizhencës nga spitali rajonal i Peshkopisë për zhvillimin e tenderit për ilaçe. "Të drejtën e zhvillimit të tenderimit e ka spitali rajonal i Peshkopisë dhe ne jemi në pritje të realizimit të tij, për të furnizuar spitalin me ilaçet e duhura për kurimin e pacientëve. Duhet që të nisin procedurat atje, në mënyrë që të zhbllokohet situata në spitalin tonë", thotë mes të tjerash Koleci.

Përqendrimi i zhvillimit të tenderëve në Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik Dibër dhe jo pranë çdo spitali ka sjellë vonesa të tilla që çojnë deri në "bllokim" të spitaleve në rrethe.

Por, në spitalin e Bulqizës "thembër e Akilit" nuk mbetet vetëm furnizimi me medikamente mjekësore, por dhe mungesa gati totale e bluzave të bardha. Prej kohësh, pavijonet janë bosh nga mjekët specialistë. Nga i gjithë personeli mjekësor, vetëm një mjek specialist punon në këtë spital, ai i sëmundjeve reumatologjike. Veç tij, gati të gjitha specialitetet nuk kanë mjekë të specializuar dhe shërbimet nuk mund të mbulohen. Kjo detyron pacientët të nisen për në Peshkopi ose në Tiranë, nëse kanë ndonjë problem shëndetësor. Ndërkohë që mungon qoftë edhe një mjek kirurg apo reanimator, për të cilët ky spital ka shumë nevojë, po të kemi parasysh punën në minierë, ku aksidentet për 660 minatorë që punojnë në të janë të pashmangshme dhe mund të ndodhin në çdo kohë. Kjo bën që shërbimi i urgjencës, gati është inekzistent.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›