Felps, vjen rekordi nr. 27
Rekordi i vetëm që nuk arrinte ta thyente, tashmë është i tiji dhe do të jetë shumë e vështirë t‘ia rrëmbesh. Primati i vetëm, të cilin Majkëll Felps e mbajti vetëm për 24 orë në gjysmëfinalet dhe finalet e Botërorit 2003 të notit në Barcelonë, ishte ai i 100 metrave flutur. Rekordi aktual mbahej nga Ian Kruker, që në Botërorin 2005 e ndaloi kronometrin në kohën 50"40. Në Pekin 2008, pikërisht në këtë stil, notari më i madh i historisë (ku jo rastësisht fitoi 8 medalje ari dhe vendosi 7 rekorde të reja) regjistroi paraqitjen më të dobët, duke fituar mes polemikave, vetëm për një të qindin e sekondës ndaj serbit Çaviç. Gjithçka ndryshoi në Kampionatin Kombëtar në SHBA: "Provoja vazhdimisht ta thyeja këtë kohë, pohoi Fleps, por asnjëherë nuk ia arrija". Duhej të shkëputej gjashtë muaj, të shijonte jetën dhe të rikthehej "me pasionin që ka garuar gjithmonë", për të provuar sërish shijen e një triumfi. Në mbrëmjen e së enjtes, në pishinat e Universitetit të Indianës, 24-vjeçari e theu tabunë, duke regjistruar një rekord të ri në këtë stil, me kohën 50"22. Taktika e re e Felps ka rezultuar e suksesshme: busti qëndronte më lart në ujë dhe nuk i shpenzoi të gjitha energjitë që prej metrave të parë. Një përzierje e stilit dhe furisë drejt finishit.