Barcelona, për Samuel Eto‘o tashmë ka një garë treshe
Tashmë duket drejt finishit aventura e Samuel Eto‘o te Barcelona. Sulmuesi kamerunas po shkon drejt ndarjes me klubin blaugran, kampion të Spanjës e Europës, dhe duhet të vendosë për të ardhmen e tij. Tre janë mundësitë e tij, sipas të përditshmes "El Mundo Deportivo": dy klubet e Mançesterit, Junajtid dhe Siti, ose Milani. Sipas analizës së gazetës spanjolle, duken favoritë, por vetëm në planin financiar, për vetë faktin se ofrojnë 25,5 milionë euro për Barcelonën dhe plot 10 milionë euro në sezon për lojtarin. Por e keqja është se, nëse Eto‘o bashkohet me këtë ekip, ai nuk do të mund të luajë për një sezon në kompeticionet ndërkombëtare. Prandaj është e vështirë që kampioni në fuqi i Europës të pranojë ofertën e sheikut Sulaiman Al Fahim. Milan mbahet si një nga klubet e mëdha europiane. Një transferim nga "Kamp Nou" në "San Siro" nuk shikohet me sy të keq nga kamerunasi. Është për t‘u marrë në konsideratë edhe "obsesioni" i futbollistit për modën. Por tri janë pikat e pafavorshme të italianëve: marrëdhënia jo e mirë me Ronaldinjon, oferta më e vogël, dhe fjalët e Galianit për kërkesat e Eto‘o. Destinacion tjetër mund të jetë Mançester Junajtid. Eto‘o i pëlqen shumë Fergusonit, por Junajtid i ofron atij një rrogë më të ulët se sa Siti.