E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët, sot japin provimin e matematikës

Autori i Lajmit: red.
Pas provimit të Letërsisë sot maturantët do të testohen për njohuritë e tyre në lëndën e matematikës. Statistikat nga MASH thonë se janë 40 mijë maturantë pjesëmrraës që do të testohen sot në lëndën e detyruar të Maturës Shetërore. Specialistët të cilët u ngujuan për 7 ditë në AVA kanë përgatitur testin me pyetjet përkatëse. Ashtu si edhe është deklaruar paraprakisht ky test do të ketë 25 pyetje, të cilat do të vlerësohen maksimalisht me 50 pikë. Burime nga AVA thonë se lloji i testit me të cilin do të pyetet nxënësi, varet nga lloji i programit lëndor që ai ka ndjekur në katër vitet e shkollës së mesme. Në përputhje me këto kritere, sivjet janë hartuart teste, në varësi të profilit të arsimit. Kjo, pasi edhe programet lëndore dhe ato orientuese për provimet e pjekurisë, janë të ndryshme për tipe të ndryshme shkollash. Eshtë parashikuar që 60 për qind e tezës së provimit do të jetë nga temat tashmë të shpërndara në programet orientuese për lëndët e provimit. Profili i shkollës së mesme do të specifikojë dhe llojin e testit që maturanti do të plotësojë në ditën e provimit. Po në varësi të profilit është detajuar dhe shkalla e vështirësisë së pyetjeve. Bazuar në skemën hartuese për çdo linjë të përmbajtjes, do të përfshihen kërkesat e tri niveleve të vështirësisë, në raportet 2:2:1(duke filluar prej nivelit minimal). Pyetjet e testit do të jenë dy llojesh: me zgjedhje të shumëfishtë dhe me shtjellim të argumentuar. Me mbylljen e këtij provimi, rregullorja për 2009-n përcakton se kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në institucionet e arsimit të lartë publik vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore (dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje). Nëse një nxënës ka vlerësim kalues vetëm në njërin nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, rezultati i tij ruhet (konsiderohet i vlefshëm) edhe në vitet në vazhdim. Nxënësi që është mbetës, qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Pas zhvillimit të dy provimeve të detyruara fillon periudha e përgatitjes përfundimtare për studimet e larta. Fillimisht maturantët duhet të njihen me rezultatet e dy provimeve të dhëna, të krijojnë vetë një ide se sa pikë mund të mbledhin dhe vetëm më pas të bëjnë renditjen e degëve se ku duan të studiojnë. Megjithatë, maturantët që kanë hyrë në provimet e këtij viti me rezultate të mbartura nga vitet e shkuara duhet të dinë se në procesin e llogaritjes do të merren parasysh koeficientet e vjetër. Kështu, nëse nxënësi kërkon t i ruhet rezultati i mëparshëm në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë–preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që lënda ka pasur në vitin që është dhënë. Në rast se nxënësi e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t i njihet rezultati i saj, do t i njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën.

Ky lajm është publikuar: 11/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›