E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni veror, në “shtetrrethim” zonat turistike

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Policia shton masat e sigurisë dhe postblloqet në të gjitha zonat turistike të vendit. Sipas një plani masash të hartuar nga Policia e Shtetit do të shtohen shërbimet policore që nga mesi i këtij muaji deri në shtator. Kështu, policia ka marrë masa për parandalimin e ngjarjeve kriminale, sigurimin e rendit dhe qetësisë, në rrugë, në plazhe e në zona të tjera turistike, gjatë sezonit veror 2009. Parandalimi i veprimtarisë kriminale dhe rritja e sigurisë në vendet e pushimit, parandalimi i aksidenteve automobilistike dhe rritja e sigurisë në rrugë, krijimi i kushteve normale dhe të garancisë për rend dhe siguri janë pikat kryesore të strategjisë së hartuar nga policia.
Problemet
Policia e Tiranës merr masa për parandalimin e ngjarjeve kriminale, sigurimin e rendit dhe qetësisë, në rrugë, në plazhe e në zona të tjera turistike, gjatë sezonit veror 2009. Burime zyrtare nga policia theksojnë se zona e bregdetit të Kavajës përballet me shtimin e madh të popullsisë, që vjen nga rrethet e tjera të vendit. Ka një fluks të madh të shtetasve shqiptarë dhe të huaj që vijnë nëpërmjet aeroportit “Nënë Tereza” Rinas apo pikave të tjera kufitare, për të kaluar pushimet në bregdet dhe në zona të tjera turistike të qarkut të Tiranës si dhe një shtim të numrit të automjeteve në qarkullim dhe dendësi të trafikut.
Për t u lehtësuar sa më shumë kushtet pushuesve, policia ka marrë një sërë masash për parandalimin e krimeve, vjedhjeve dhe aksidenteve.
Masat
Nga sektorët dhe komisariatet e kësaj Drejtorie janë marrë masa për të parandaluar e goditur në kohë veprimtarinë kriminalë, në vende turistike, hotele, bare, restorante etj. Ndërkohë punonjësit e Policisë në zona për këtë qëllim kanë marrë informacione të mjaftueshme mbi situatën e rendit dhe sigurisë publike në zonat që mbulojnë, ku takimet dhe informacionet janë shpejtuar në drejtim të rritjes së sigurisë në hotele, bare, restorante etj. Burimet zyrtare nga policia pohojnë se janë marrë masa për mbulimin e akseve rrugore: Kamëz-Tiranë, Rinas-Tiranë, Tiranë-Ndroq-Plepa, Tiranë-Vorë-Durrës, Tiranë-Kërrabë, Tiranë-Dajt, dhe në akset rrugore të rrethit të Kavajës, me shërbime të policisë rrugore dhe ato të policisë së rendit, gjatë ditëve të javës dhe sidomos në ditët e shtuna dhe të diela, duke kryer dhe shërbime suplementare policie.

Masat
1. Parandalimi i veprimtarisë kriminale dhe rritja e sigurisë në vendet e pushimit
2. Parandalimi i aksidenteve automobilistike dhe rritja e sigurisë në rrugë ;
3. Rritja e cilësisë së shërbimit policor gjatë kontrollit të territorit në qarkun e Tiranës ;
4. Krijimi i kushteve normale dhe të garancisë për rend dhe siguri ;
5. Ardhja në ndihmë të komunitetit;
6. Mbajtja nën kontroll e personave me precedentë policore dhe kapja e personave të kërkuar nga Policia.

Ky lajm është publikuar: 11/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›