E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejohet ekstradimi drejt SHBA-së i të shumëkërkuarit shqiptar

Autori i Lajmit: red.
Gjykata e Tiranës vendosi ekstradimin për në SHBA të Gjergji Hajatit, shtetasit shqiptar të shumëkërkuar në Amerikë. Dje gjykata vendosi që Hajati të ekstradohet në SHBA dhe të përballet me drejtësinë për veprat penale të kryera në shtetin e Merilendit.
Autoritetet e drejtësisë amerikane të shtetit Merilend (Maryland) u kërkuan autoriteteve shqiptare të lejojnë ekstradimin për në SHBA të shkodranit me shtetësi amerikane, Gjergji Hajati, i njohur ndryshe nga amerikanët me emrin George Hajati. Ndaj Hajatit rëndon akuza e vjedhjes me anë të mashtrimit, vepër penale e kryer në SHBA. Prokuroria e Përgjithshme, me kërkesë të autoriteteve amerikane të Drejtësisë, ka paraqitur padinë me objekt ekstradimin e 31-vjeçarit Hajati në drejtim të SHBA-së.
Sipas Prokurorisë, Hajati akuzohet se ka përfituar me anë të mashtrimit rreth 2 milionë dollarë amerikanë nga bankat lokale të distriktit Harford të shtetit të Merilendit. Sipas kërkesës së depozituar tashmë në gjykatë, që mban numrin e çështjes 889 dhe që u shqyrtua nga gjyqtari Micko, mësohet se FBI-ja e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shkodranin Hajati që më 24 janar të vitit 2008. Kjo për shkak se ndaj tij është ngritur zyrtarisht akuza e mashtrimit me anë të falsifikimit, duke përfituar kredi në shumën monetare të rreth 2 milionë dollarëve. "Pak ditë para shpalljes në kërkim nga agjentët e FBI-së, shkodrani me shtetësi amerikane, Gjergji Hajati, i njohur ndryshe me emrin George Hajati, është larguar nga SHBA-ja, ndërsa kishte marrë rrugën e rikthimit në Shqipëri duke tentuar të futej nëpërmjet Malit të Zi. Me kërkesë të zyrës federale të FBI-së, Gjykata e Distriktit Harford të shtetit të Merilendit, ka caktuar më 24 janar 2008 ndaj shkodranit masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë, duke lëshuar njëkohësisht urdhërarrestin ndërkombëtar për të. Pas shpalljes në kërkim, emri i tij është renditur në listën e ndër më të kërkuarve të Interpolit. Me ndihmën e agjentëve të Departamentit Amerikan të Shtetit pranë ambasadës amerikane në kryeqytet, agjentëve të FBI-së në bashkëpunim me Interpol Tiranën, është zbuluar vendqëndrimi i shkodranit Hajati. Gjithashtu, në kërkesë theksohet fakti se për tre muaj agjentët amerikane dhe ata shqiptarë kanë punuar për identifikimin e vendndodhjes së Hajatit dhe lëvizjeve të tij nëpër Shqipëri, ku edhe u kap nga autoritetet shqiptare në shoqërinë e një personi tjetër, ndërsa tentohej largimi i tij nga Shqipëria.

Ky lajm është publikuar: 11/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›