E Diel, 1 Nëntor 2026

Mavraj: Bohum nuk më la të grumbullohesha me kombëtaren

Mërgim Mavraj është shndërruar në telenovelën e kombëtares shqiptare. Mbrojtësi kosovar me pasaportë gjermane, që militon me Bohum në Bundesligë, vazhdon të përflitet si kandidat për një fanellë kuqezi. Por, edhe pse është ftuar disa herë për t‘iu bashkuar kontingjentit të Shqipërisë, në asnjë rast, 21-vjeçari nuk është paraqitur. Ftesa më e fundit ishte bërë nga trajneri Ari Han, i cili shpresonte që Mavraj të ishte pjesë e grumbullimit 9-ditor në Gjermani. Por, pasi ka dhënë "ok" fillestar, më pas lojtari ka filluar të mos u përgjigjet telefonatave nga stafi i kombëtares. "Më kanë ftuar për ndeshjen me Poloninë. Por, ekipi i Bohumit nuk më ka lejuar që të shkoj", tha Mavraj për të përditshmen kosovare "Express". Më tej, ai saktësoi se nuk kishte biseduar drejtpërdrejt me Han, por me përkthyesin Ajet Xeka. Justifikimi për pengesën e krijuar nga klubi, bie në kundërshtim me atë që ka bërë të ditur FSHF: ata pretendojnë se në komunikimin me Mavrajn, lojtari u kishte thënë se ishte me pushime dhe pasi ftesa në klub i kishte shkuar me vonesë. Afro një vit më parë, mbrojtësi 191 centimetra ka luajtur me kombëtaren U-21 të Gjermanisë, në miqësoren me Italinë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›