Lacio interesohet për të blerë Jurgen Gjasulën
Skuadra e Lacios po interesohet për të marrë gjatë merkatos verore mesfushorin shqiptar, Jurgen Gjasula. Futbollisti 23-vjeçar ka qenë prej kohësh në librin e shënimeve të drejtuesve bardhekaltër, por tani blerja e tij mund të bëhet realitet për fatin se është futbollist i lirë. "A ka ndonjë bisedë? Në këto çështje ka gjithmonë disa të vërteta dhe disa gënjeshtra", deklaroi menaxheri i futbollistit, Mikel Urssheler. "St. Galen vendosi të përjashtonte lojtarin, i cili nuk u aktivizua në 6 ndeshjet e fundit të kampionatit. Fatkeqësisht, ata e dinin që lojtari ishte i talentuar dhe dëshironin të fitonin sa më shumë para. Tani duam të jemi të kujdesshëm, pasi St. Galen ka rënë në Kategorinë e Dytë për herë të parë pas 20 vitesh dhe futbollisti është i lirë të largohet. E ardhmja e tij? Ka opsione të ndryshme dhe mund të them se deri të shtunën apo maksimumi të dielën, do të ketë një vendim përfundimtar, pasi futbollisti kërkon të dijë në cilën rrugë do të shkojë karriera e tij, ku më shumë mundësi ka Italia dhe Gjermania", u shpreh Urssheler. Gjasula ka pasaportë shqiptare dhe gjermane, por pavarësisht interesimit të FSHF-së, deri tani ai nuk u është përgjigjur asnjëherë ftesave të kombëtares.