E Diel, 1 Nëntor 2026

Maxarri "nxeh" atmosferën: Siti mund ta pësojë keq

TIRANE-Napoli dhe Mançester Siti do të kërkojnë sot në mbrëmje në "San Paolo" historinë, teksa do të përballen mes tyre në "San Paolo", në një betejë vendimtare për grupin A. Napoletanët kanë nevojë për një fitore për të patur gjithçka në dorën e tyre përsa i përket kualifikimit, ndërkohë që anglezët do të jenë të kënaqur edhe me një barazim, për të luajtur më pas gjithçka në ndeshjen e fundit ndaj Bajernit të Mynihut, në "Etihad Stadium". Trajneri i Napolit Valter Maxarri është i parë i qetë në prag të kësaj sfide, ndonëse përballë do të ketë një ekip që ka një buxhet prej 200 milionë eurosh. "Ndoshta si trajner do ma kishte qejfi të kisha këtë buxhet në merkato, sepse rritja do të ishte më e shpejtë, - tha Maxarri në konferencën për shtyp para ndeshjes. - Gjithsesi, dua ta kini të qartë se filozofia jonë është ndryshe. Kur u hodh shorti ishin të paktë ata që mendonin se ne do të ishim në lojë për kualifikim deri tani. Do të thotë se kemi bërë diçka të jashtëzakonshme. Ajo që do të vijë më pas do të jetë ar", shtoi tekniku i Napolit.
Kavani
Edinson Kavani është shpresa e tifozëve të Napolit në ndeshjen e sotme. Trajneri i Sitit Roberto Mançini nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë për sulmuesin uruguajan, që mund të bëhet një nga objektivat e merkatos për skuadrën angleze. "Unë shpresoj që të dhuroj emocione për tifozët tanë, - thotë Kavani i pashqetësuar nga zërat e merkatos. - Dua që të fitojmë patjetër të martën, pavarësisht nëse shënoj apo jo". Në fakt, bomberi amerikano-jugor nuk shënon prej gati një muaji, megjithatë kjo gjë duket se nuk e shqetëson. "Unë jam mirë dhe ndjej vlerësimin e trajnerit. Nëse për të jam mirë, atëherë jam i qetë, sepse e di që goli do të vijë", shtoi sulmuesi uruguajan.
Sfida
Për Valter Maxarrin, Napoli mund t'ia dalë ndaj miliardierëve. "Mendoj se ata mund ta pësojnë keq, ndonëse për të mundur Sitin nuk do të mjaftojë një veprim individual, por do të duhet një paraqitje e shkëlqyer e grupit, - tha tekniku i Napolit. - Duhet të japim gjithçka, të luajmë në 120 % të mundësive tona. Unë që tani jam brenda ndeshjes, nuk mendoj për asgjë tjetër, përveçse të përgatis sa më mirë ekipin". Fitorja ndaj Sitit dhe sidomos kualifikimi do të rriste dukshëm të ardhurat në arkat e klubit italian, gjë që nënvizohet shpesh nga presidenti De Laurentis. "Sidoqë të përfundojë kjo ndeshje, them se nuk do të ketë shumë ndryshim, pasi gjithçka do të luhet në turin e fundit. Ne do të kemi një shans në Spanjë, me Vilarealin. Them se do të mbetemi në Evropë, pavarësisht nëse ajo është Champions apo Europa League", u shpreh më tej Maxarri. Por, të mundësh Sitin nuk duket aspak e lehtë. "Të shtunën ata e mbyllën ndeshjen me Njukasëllin që në pjesën e parë edhe pse miqtë nuk kishin humbur asnjë ndeshje deri më tani. Për fat të keq ndeshemi në momentin e tyre më të mirë, pasi mendoj se janë në të njëjtin nivel me Barcelonën dhe Çelsin", deklaroi Valter Maxarri.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›