E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Huldai: Bashkia e Tel Aviv-it bashkëpunim me atë të Tiranës

TEL AVIV - Në ditën e tretë të vizitës së tij në Izrael, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Tel Aviv-it, zotin Ron Huldai.

Sipas zyrës për shtyp të Kryeministrisë, Berisha bëri një panoramë të reformave gjithëpërfshirëse të ndërmarra dhe të realizuara me sukses nga qeveria shqiptare, në sajë të të cilave, ekonomia shqiptare, por edhe shumë fusha të tjera po zhvillohen me ritme të shpejta.

Në këtë kontekst, Kryeministri u ndal dhe foli gjerësisht për masat e marra për sa i përket uljes së barrës fiskale, zvogëlimin në maksimum të pengesave burokratike, krijimit të një klime tërheqëse për investimet e huaja, shtimit të eksporteve, zbatimit të suksesshëm të projekteve të rëndësishme infrastrukturore, etj.

Duke shprehur dëshirën për të shkëmbyer eksperiencën me bashkinë e një qyteti të zhvilluar si Tel Aviv-i, Kryeministri Berisha u shpreh se Kryetari i Bashkisë së Tiranës po adapton standarde të larta për sa i përket zhvillimit të një klime miqësore ndaj biznesit dhe përthithjes së investimeve të huaja në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Ftesës së Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë, si dhe për të zhvilluar bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, z. Ron Huldai iu përgjigj se ishte një kënaqësi shkëmbimi i vizitave, në kuadër të një bashkëpunimi të frytshëm mes dy qyteteve.

“Do të jem i gëzuar të vij në Shqipëri dhe të pres Kryetarin e Bashkisë së Tiranës këtu, dhe të fillojmë një bashkëpunim frytdhënës midis Tel Aviv-it dhe Tiranë”, u shpreh z. Huldai.
(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›