Maxhoranca: Amnistia Fiskale, në seancë plenare me dy variante
Seanca plenare e të enjtes do të vendosë nëse nga falja fiskale do të përfitojnë edhe bizneset. Maxhoranca do të paraqitet në kuvend me të dy variantet. Burime nga Komisioni Kuvendor i Ekonomisë dhe Financave, bëjnë me dije për “MAPO” se, është vendosur që në seancën plenare të së enjtes, maxhoranca do të prezantojë për votim variantin e Amnistisë Totale, i cili kërkon 3/5 e votave, e përkthyer në numër 84 vota, të cilat nuk mund të realizohen vetëm me votat e koalicionit qeveritar. Nëqoftëse opozita mbetet e vendosur, për të kundërshtuar me votat e saj variantin e Amnistisë së Plotë, maxhoranca ka gati edhe variantin e dytë, projektligj, i cili nuk ka nevojë për shumicë votash, pra për votat e opozitës. Gjithsesi, deputetët e maxhorancës, anëtarë të Komisionit të Ekonomisë janë shprehur për “MAPO”, se amendimet për Amnistinë e Plotë do të shkojnë në seancë, ashtu siç janë firmosur në Komision ditën e votimit të projektligjit. Megjithatë, ata thanë se, janë në pritje të amendimeve të opozitës, nëqoftëse ajo do të përfshihet në këtë diskutim dhe do të ndihmojë realisht me propozime konkrete. Në të njëjtën kohë, opozita nga ana tjetër ka deklaruar se do të marrë pjesë në seancën plenare, pasi nuk e ka bojkotuar parlamentin, por do t’i mbetet vendimit të saj, me këmbëngulje për të mos votuar projektligjin për Amnistinë Fiskale, i cili kërkon edhe votat e saj, në logjikën e mosvotimit të ligjeve të rëndësishme deri në momentin e zgjidhjes së ngërçit politik.
Varianti i parë i Amnistisë Fiskale
Nëqoftëse opozita do të bëhet pjesë e bashkëpunimit për ligjin e Amnistisë Fiskale dhe do të japë votat e saj, nga kjo falje do të përfitojnë gjithë shoqëritë e biznesit dhe qytetarët shqiptarë, duke ccliruar në këtë mënyrë, jo vetëm biznesin, por gjithë ekonominë në tërësi. Procesi i Amnistisë Totale do të përfshijë legalizimin e kapitalit, faljen e pasurive të paluajtshme, të pahipotekuara deri tani, faljen e gjobave, kamatvonesave e gjithë detyrimet ndaj tatimeve dhe doganave. Gjithashtu, të gjithë bizneset, të cilët deri më tani nuk janë pajisur me kasa fiskale, sipas ligjit në fuqi dhe janë penalizuar me gjobë, do t’iu falen gjobat sipas këtij ligji. Ky projektligj parashikon në të njëjtën kohë edhe gjithë procedurat se si do të realizohet amnistia fiskale, sipas të gjitha kategorive të përmendura aty. Duke iu referuar këtij drafti, në rrethin e subjekteve që përfitojnë nga procesi i legalizimit të kapitalit përfshihen: personat fizikë apo juridikë që deklarojnë, brenda kushteve të parashikuara nga ky ligj, shuma në të holla, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, dhe/apo diferenca pozitive që rezultojnë nga rivlerësimi i aseteve të parashikuara nga ky ligj e gjithashtu çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili brenda kushteve të parashikuara në këtë kre, deklaron shumën në të holla. Ndërkohë, të gjithë tatimpaguesit, subjekt i taksës vendore të biznesit të vogël, që janë dënuar me gjobë administrative për mosinstalim të pajisjeve fiskale dhe e kanë instaluar pajisjen fiskale brenda datës 28 Shkurt 2011, ju falen shumat e gjobave të papaguara të lidhura me mosplotësimin në kohë të detyrimit për pajisjen fiskale. Por projektligji në fjalë parashikon edhe penalitetet përkatëse, në lidhje me këtë proces. Personat përgjegjës, të cilët shkelin procedurat e parashikuara në këtë ligj, penalizohen për shkelje procedurash, përsa i përket legalizimit të kapitalit, dhe Banka me urdhër të Ministrit të Financave dënohet me gjobë administrative, nga 100.000 deri në 200.000 lekë për çdo rast.
Varianti i dytë i Amnistisë Fiskale
Nëqoftëse opozita i qëndron vendimit të saj me votën kundër, përsa i përket projektligjit për Amnistinë e Plotë, maxhoranca do të paraqesë për votim variantin e dytë. Ky variant parashikon të falëvetwm gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet e papaguara në dogana dhe tatime. Për çdo gjobë ose kamatë të papaguar dhe që do të amnistohet, mund të vihet një përqindje, por sigurisht kjo lloj amnistie lë jashtë kapitalet.
Amnistia
Amnisti fiskale do të thotë amnisti e taksave dhe legalizim i kapitalit. Amnisti e taksave do të thotë falje e borxheve që kompanitë ose individët kanë ndaj autoriteteve taksambledhës. Legalizim i kapitalit do të thotë deklarimi vullnetar nga individët ose personat juridik i pasurive monetare, pasurive të paluajtshme dhe i pasurive të tjera të fituara prodhuar brenda ose jashtë vendit.
Falja
Falem vetëm gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet e papaguara në dogana dhe tatime. Për çdo gjobë ose kamatë të papaguar dhe që do të amnistohet, mund të vihet një përqindje, por sigurisht kjo lloj amnistie lë jashtë kapitalet.
Varianti i parë(amnistia)
1- Legalizim i kapitalit
2- Falja e pasurive të paluajtshme të pahipotekuara deri tani, objekte, makineri dhe pajisje
3-Falen gjobat, kamatvonesat dhe gjithë detyrimet e tatimeve dhe doganave
Varianti i Dytë(Falja)
Falen të gjitha veprat jo penale, gjobat, kamatvonesat e papaguara nw dogana dhe tatime
Amnistia Fiskale çliron 20 mln euro nga gjobat e makinave
Cilido variant i Amnistisë Fiskale të votohet në kuvend, të gjithë qytetarët që kanë detyrime; taksa apo gjoba për automjetet, nga viti 2010 e më përpara, do të falen duke çliruar 2,5 mld lekë ose 20 mln euro. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor janë më shumë se 160 mijë automjete që do të përfitojnë nga kjo falje. Por kushti i vetëm i përfitimit sipas burimeve, nga kjo drejtori është pagimi i taksave për 2011. Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor ka vendosur për vitin 2010, rreth 52 milionë lekë gjoba, prej të cilave janë vjelur vetëm 25 milionë lekë. Pjesa e mbetur e gjobave të pambledhura, rrjedhimisht do të amnistohet. Çdo gjobë e marrë deri në fund të vitit 2010, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, do të falen duke pastruar kështu regjistrat e tejfryrë me gjoba të pa mbledhura të Policisë Rrugore. Dy llojet e taksave që paguhen një herë në vit nga drejtuesit e mjeteve të transportit janë taksa e qarkullimit vjetor (rreth 8 mijë lekë për automjetet) dhe taksa e regjistrimit të përvitshëm, që nis me 2400 lekë/vit. Për vitin 2010, rreth 250 mijë mjete transporti i kishin paguar detyrimet e tyre vjetore, si taksën e qarkullimit, ashtu dhe atë të regjistrimit të përvitshëm, duke i siguruar shtetit një të ardhur prej rreth 5 miliardë lekësh, ku peshën kryesore e mbart tarifa e qarkullimit. Megjithatë, drejtuesit e transportit rrugor kanë probleme dhe me gjobat që nuk derdhen rregullisht
Agrobiznesi do të çlirojë 2 mld euro nga falja fiskale
Janë 2 mld euro asete të fermerëve shqiptarë në emigracion, që janë të depozituara në bankat e huaja dhe pritet të çlirohen nga procesi i Amnistisë Fiskale. Enver Ferizaj, Presidenti i KASH (Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar) shprehet optimist për këtë proces, duke deklaruar për “MAPO” se, nuk ka të bëjë me fushatën elektorale dhe asetet që pritet të çlirohen nuk do të shkojnë në arkën e shtetit. Ai sqaron se Amnistia Fiskale ka 1 vit e gjysmë që diskutohet në komunitetet e biznesit dhe është një proces që do të formalizojë ekonominë shqiptare e do të jetë një bonus, si për qytetarët, biznesin edhe shtetin. “Tani është formalizuar biznesi, si nga ana fiskale, ashtu edhe doganore, prandaj ka ardhur koha e amnistisë. Agrobiznesi përfiton shumë. Ka shumë asete. Ky proces çliron nga një barrë biznesin dhe shtetin. Është pasuri e padeklaruar. Çliron edhe mendësisht ata që duan të deklarojnë. Qëllimi nuk është të mbushet arka e shtetit, por të ardhurat që janë në bankat e huaja të investohen në vend”, - u shpreh Ferizaj. Por në të njëjtën kohë, ai propozon uljen e tarifave të faljes deri në 3%. Sipas tij, tarifat e propozuara nga qeveria janë të larta. “Nga ky proces pritet të legalizohen objektet e paluajtshme, toka, ndërtesat prodhuese, jo prodhuese, shfrytëzuese, fabrika, ato që kanë një vlerë e duan t’iu shmangen taksave. Pasi ka pasur shumë ndërhyrje në ligjet fiskale dhe biznesi ka përfituar e nuk ka deklaruar të ardhurat, sepse ligji vetë i ka krijuar këto hapësira” - tha Ferizaj. Ai theksoi se nga ky proces, ekonomia shqiptare përfiton formalitetin duke legalizuar 4-5 mld lekë asete të padeklaruara, duke kthyer këtë potencial në potencial prodhues dhe asetet monetare të fshehura kthehen në investime e qeveria lirohet nga një barrë e padeklaruar.