E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet kontrata 100 mijë USD me kompaninë amerikane, për PS firmos Administratori i Bashkisë



Aristir Lumezi

Partia socialiste ka kontraktuar një kompani të njohur amerikane për të promovuar dhe lobuar kauzën e saj të transparencës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gazeta ka zbuluar kontratën e nënshkruar mes palëve, ku selia rozë i ka paguar 100 mijë dollarë kompanisë amerikane "Rasky Baerlein Communications", nga 25 mijë për çdo muaj, kontratë e nënshkruar në fund të muajit mars. Në kontratën ligjore të hartuar nga Departamenti i Drejtësisë Amerikane, të përbërë nga 9 pika, përshkruhet saktë qëllimi i nënshkrimit të saj, detyrimet e palëve dhe shërbimet që kompania amerikane do t'i ofrojë selisë rozë. Nga ana e PS, kontrata është nënshkruar nga administratori i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli, i cili nuk është anëtar i asnjë prej forumeve qendrore të kësaj partie. Ndërsa nga kompania amerikane, nga vetë presidenti i saj, Lawrence Rasky në 23 mars 2010 në Washington. Në pikën 6 të kontratës thuhet saktësisht se "kohëzgjatja e shërbimit të kompanisë është katër muaj. Kontraktuesi do të punojë për t'u dhënë politikëbërësve të SHBA-së informacionin e nevojshëm në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri dhe për shërbimin e tij do të paguhet 25,000 USD në muaj(dhe shpenzimet)". Detyra e përcaktuar në kontratë e kompanisë amerikane "Rasky Baerlein Communications", është "të informojë politikëbërësit e SHBA-së dhe të organizojë intervista në mediat ndërkombëtare me përfaqësues të PS-së".
Lajmi se Partia Socialiste kishte firmosur një kontratë bashkëpunimi me kompaninë amerikane është botuar në gazetën "Panorama" në 7 prill të këtij viti, vetëm pak ditë pas nënshkrimit të saj nga të dy palët. Si një kompani serioze në fushën e konsulencës dhe lobimit për çështjet politike por dhe ekonomike, ajo botoi në faqen e saj zyrtare lajmin e bashkëpunimit dhe me Partisë Socialiste të Shqipërisë. Firmosja e këtij bashkëpunimi për një periudhë katër mujore përkon ekzaktëzisht me parashikimin që socialistët i kishin bërë zgjatjes së aksionit të tyre opozitar për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Një muaj pas nënshkrimit të saj, në 30 prill socialistët organizuan protestën e madhe për hapjen e kutive me sloganin "Hap kutitë ose largohu" që vijoi më pas me grevën e urisë të 203 deputetëve dhe mbështetësve të tyre para godinës së Kryeministrisë. Për të gjithë këtë aksion politik, socialistët ishin organizuar mjaft mirë deri dhe në SHBA, ku kërkonin përmes kompanisë prestigjioze në këtë fushë, sensibilizimin e politikës amerikane me ngërçin politik në Shqipërinë e largët. Dhe kjo konsulencë nuk duket se ka qenë pa efekte, pasi aleati më i mirë i tyre ka qenë ambasada Amerikane në Tiranë dhe grupi i eurodeputetëve të majtë në Parlamentin Europian. Konsulenca nga kompani të njohura të huaja në këtë fushë, veçanërisht për çështjet elektorale nuk i ka munguar për asnjë çast gjatë gjithë përvojës politike Edi Ramës që prej zgjedhjeve të vitit 2000 për Bashkinë e Tiranës. "Rasky Baerlein Strategic Communications" përbëhet nga këshilltarë të besuar të komunikimit dhe të çështjeve publike me eksperiencë në udhëzimin e kompanive, në kompleksitete të biznesit, politikës dhe medias.

ç’përfaqëson "Rasky Baerlein Communications"

Kompania "Rasky Baerlein Strategic Communications" e njohur në fushën e konsulencës dhe lobimit në SHBA. Ajo njihet si 50 organizatat më të mira komunikuese në SHBA., ndërsa stafi i saj drejtues përbëhet nga përfaqësues të njohur të fushës së konsulencës politike, të biznesit dhe medias kryesisht me origjinë hebraike. "Rasky Baerlein Strategic Communications" përbëhet nga këshilltarë të besuar të komunikimit dhe të çështjeve publike me eksperiencë në udhëzimin e kompanive në kompleksitete të biznesit, politikës dhe medias. Ekspertët e kësaj kompanie (në çështje publike, marrëdhënie publike dhe marrëdhënie qeveritare) premtojnë se mund të nxjerrin nga kriza, mbështesin për lançimin e ideve të reja dhe ndihmojnë se si të tregohet më mirë historia e çështjes përpara legjislatorëve lokalë, shtetërorë dhe federalë. Ndër klientët e saj renditen nga kandidatë presidencialë dhe ekzekutivë të nivelit C. Zyrat e kompanisë janë në Boston dhe Uashington DC. Rasky ka punuar si asistent special i komunikimit për kongresmenin Ed Markey. Gjithashtu ka qenë drejtor i Komunikimit gjatë fushatës së parë të Xhon Kerrit për në Senatin amerikan në 1984 dhe zëvendës sekretar për shtypin në fushatën elektorale të presidentit Xhimi Karter në 1980.

100 mije usd
i ka paguar selia rozë kompanisë amerikane e cila do t’i sigurojë konsulencë dhe lobim në ambientet e politikës amerikane në SHBA për çështjen e transparencës së zgjedhjeve

4 muaj
do të zgjasë bashkëpunimi mes Partisë Socialiste dhe kompanisë amerikane, e cila përfundon në fund të muajit qershor, ndërsa do të informojë opinionin politik në SHBA me qëndrimet e PS

Konsulenti
Kreu socialist Edi Rama gjatë të gjithë karrierës së tij politike ka pasur në krah këshilltarë të njohur, veçanërisht gjatë fushatave elektorale. Artur Falkenstein, është pranë Ramës që në zgjedhjen e parë të tij në vitin 2000 për kryetar bashkie, ndërsa nuk ka munguar prej atëherë në të gjitha përballjet e mëpasme të tij. Madje burime pranë kreut socialist pohojnë se ka qenë këshilla e Falkenstein që e ndihmoi Ramën gjatë fushatës përbaltëse në 2003 me fotot nudo të tij, duke i kërkuar që të pranojë vërtetësinë e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›