Holanda e rekordeve, më mirë së në 1974
Holanda shënoi nga një gol në çdo pjesë loje në fitoren 2-1 kundër Sllovakisë, duke mbërritur për herë të parë në çerekfinalet e Kupës së Botës për herë të parë pas 12 vjetësh (1998). Arjen Roben shënoi me një goditje të bukur në minutën e 18-të në ndeshjen e tij të parë nga minuta e parë në këtë kompeticion për shkak të dëmtimit, ndërkohë që Uesli Shnajder realizoi të dytin në minutën e 84-t pas një pasimi perfekt nga Dirk Kajt. Sllovakia nuk pati shumë goditje në pjesën e parë, ndërkohë që në të dytën goditi fuqishëm në portën e Holandës, por portieri Marten Stekelenbeburg ndaloi Miroslav Stosh dhe Robert Vitekun, ky i fundit shënoi dy gola në fitoren 3-2 kundër Italisë. Vitek shënoi golin e vetëm të Sllovakisë nga pika e bardhë në minutën e 93-të, njëherësh edhe i katërti i tij dhe i fundit në këtë kompeticion. Sulmuesi i Bajernit të Mynihut dhe njëkohësisht i Kombëtares holandeze, Arjen Roben, është përzgjedhur si lojtari më i mirë i ndeshjes Holandë-Sllovaki. Roben shënoi golin e parë në këtë sfidë duke siguruar në një farë mënyre kalimin e “tulipanëve” në çerekfinalet e këtij Botërori. Roben luajti për herë të parë në këtë Kupë Bote si titullar pasi ka vuajtur një dëmtim, i cili e detyroi që të qëndronte në pankinë për dy ndeshjet e para në grup dhe të aktivizohet vetëm për disa minuta në ndeshjen e fundit ndaj Kamerunit. Në ndeshjen e djeshme ndaj Sllovakisë, Roben gjuajti 4 herë në drejtim të portës, nga ku dy u pritën mjeshtërisht nga portieri, një përfundoi jashtë dhe një gjuajtje përfundoi në rrjetë. Ai nuk shkaktoi asnjë faull gjatë gjithë lojës ndërsa pësoi plot 6 të tillë. Dha 20 pasime të sakta nga 33 të tilla dhe përshkoi një distancë prej 7465 metra në 71 minuta lojë (u zëvendësua nga Elia). Në fakt, Holanda ka pësuar deri tani dy gola dhe të dy me penallti. Holanda ka arritur katër fitore në katër ndeshjet e para, gjë që nuk ka ndodhur as edhe kur ishin finalistë në vitin 1974 dhe 1978.
Enigma e Kapelos, brenda dy javësh
Në stolin e Anglisë ai numëron 28 ndeshje, 19 prej të cilave i ka fituar duke humbur pesë
E ardhmja e Fabio Kapelos do të përcaktohet brenda dy javësh pasi Federata Angleze e Futbollit reflektoi mbi dështimin e “tre luanëve” në fushatën e Botërorit. Trajneri italian përsëriti dëshirën e tij për të qëndruar në punë, pavarësisht se Anglia pësoi humbjen më të rëndë në finalet e Kupës së Botës kur ajo humbi 4-1 me Gjermaninë në një të tetat. I pyetur nëse ai dëshironte të qëndronte si trajneri i Anglisë, 64-vjeçari Kapelo tha: “Absolutisht. Ne do të kemi dy javë më shumë kohë për të reflektuar për gjithçka”. Kapelo shtoi se ai kishte hedhur poshtë oferta e shumë klubeve të mëdha europiane për të qëndruar te Anglia. Më pak se një muaj më parë, Federata Angleze konfirmoi se Kapelo do të qëndrojë si trajner deri pas përfundimit të Kampionatit Europian të vitit 2012. Kapelo fitoi nëntë nga 10 ndeshjet në kualifikueset e Kupës së Botës, ndërsa në stolin e Anglisë ai numëron 28 ndeshje, 19 prej të cilave i ka fituar, duke humbur pesë. Kapelo u kërkoi falje tifozëve anglezë për performancën e skuadrës. “Të gjithë lojtarët anglezë erdhën realisht shumë të lodhur në këtë kompeticion. Unë fola me të gjithë trajnerët dhe ata më treguan gjendjen e tyre fizike. Ne luajtëm shtatë ndeshje përpara fillimit të kampionatit dhe ata nuk ishin aq të shpejtë”, - tha Kapelo. Kapelo tha se ishte shumë i zëmëruar me vendimin e gjyqtarit urugaian, Horge Larionda, për të mos dhënë golin e shënuar nga Frenk Lampard e që kaloi dukshëm vijën e portës. “Për këtë jam shumë, shumë i zëmëruar”, - theksoi Kapelo.
613 tifozë të padëshiruar
Zyrtarë të Imigracionit të Afrikës së Jugut thanë ase ata kanë ndaluar të hynin në vend 613 persona të “padëshiruar” gjatë Kupës Botës, të identifikuar nga sistemi i kontrollit. Të gjithë këta ishin huliganë. Më shumë se 2.1 milionë të huaj mbërritën në Afrikën e Jugut gjatë muajit qershor, 523.798 më shumë se ata që vizituan Afrikën e Jugut, në të njëjtin muaj në vitin 2009.
Bindet Blater, po video-teknologjisë
Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, më në fund duket se është dorëzuar dhe është shprehur po futjes së teknologjive video mbi vijën e portës, por vetëm nëse pajisja “është e saktë dhe nuk është e komplikuar”. Presidenti i FIFA-s, në një deklaratë në CNN, ka saktësuar se “arsyeja pse sistemet teknologjike nuk janë futur ende, është sepse janë të komplikuar dhe të pasigurt 100%.
Por nëse do ishte i disponueshëm një sistem absolut, i saktë dhe jo i komplikuar, unë do isha pro futjes”, - tha Blater.
29 Qershor 2010