Dështimi i Francës, dorëhiqet presidenti i federatës
Zhan-Pierr Eskalet bëri të ditur dorëheqjen e tij nga posti i presidentit të Federatës Franceze të Futbollit. Vendimi do të zyrtarizohet gjatë Këshillit Federal, më 2 korrik. “Pas një fundjave reflektimi, gjatë të cilës u konsultova me kolegt ët e mi, bashkëpunëtorët dhe të afërmit e mi, e konsideroj se është detyra ime të jap dorëheqjen nga funksioni i Presidentit i Federatës Franceze të Futbollit”. Zhan-Pier Eskalet, 75 vjeç, është zgjedhur në krye të Federatës Franceze të Futbollit (FFF) nga 12 shkurti i vitit 2005, ku arriti të fitojë me 92.56 për qind të votave, duke pasuar Klod Simone, ky i fundit ishte në kolltukun presidencial, 11 vjet (1994-2005). Eskalet është presidenti i 11-të i Federatës Francëze, i pari është i famshmi Zhyl Rime, ideatori i Kampionatit Botëror të Futbollit. Eskalet, një lojtar i klubit të studentëve të Bordosë (1952-1959), është diplomuar si profesor i gjuhës angleze. Në vitin 1985 ai u zgjodh anëtar i Këshillit Federal të FFF-së, pesë vjet më pas, 1990, ai u bë sekretar i përgjithshëm. Në vitin 1995 u zgjodh president i i Këshillit Kombëtar të Futbollit Amator (CNFA), një organizëm i ri. Në vitin 2000, CNFA u transformua në Ligën Federale të Futbollit Amator, të cilën Eskalet e kryesoi si president deri në 8 janar të vitit 2005. Më 12 shkurt 2005, ai u zgjodh president. Federata Franceze e Futbollit ka gjashtë zëvendespresidentë.
Në fakt, Franca politike duket se ka nisur një luftë të ftohtë me FIFA-n. Kërkesa formale jo zyrtare e ministres së Sporteve të Francës, Rozelin Bashëlo, për një dorëheqje të pashmangshme të presidentit të Federatës Franceze të Futbollit, Zhan-Pierr Eskaletes, ka provokuar edhe një reagim aspak me tone diplomatike të FIFA-s. Sekretari i përgjithshëm, Zherom Valke, i bëri një paralajmëroi të hapur Francës: “Kujdes, në bazë të normave tona nuk mund të kërkoni dorëheqjen e një personi të zgjedhur në mënyrë demokratike”. FIFA është shumë e ndjeshme ndaj ndërhyrjeve politike, madje nuk përton të kërcënojë edhe qeveritë me përjashtim të vendit të përkatës nga aktivitetet ndërkombëtare.
Valke shtoi në deklaratën e tij: “Jemi duke vlerësuar atë që po ndodh në Francë për të shmangur një situatë që mund të shndërrohet në një situatë të vështirë”. Përkthimi është i qartë: jeni nën vëzhgim, për të shmangur ndonjë vendim më të rëndë, përshirë pezullimin.
29 Qershor 2010