Mazhoranca: Kundërshtimi i opozitës për ligjet me 3/5, sjellje shqetësuese

Edi Paloka, deputet i PD-së, akuzon PS-në e cila hodhi poshtë marrëveshjen e 14 nëntorit 2011
Ndërkohë që, kalendari i propozuar nga administrata e Kuvendit parashikonte fillimin e punës në komisione parlamentare të shqyrtimit dhe diskutimit të ligjeve të depozituara në Kuvend dhe të kodeve e projektligjeve që kërkojnë 3/5, sipas marrëveshjes dy paleshe të 14 nëntorit 2011, të miratuar nga të gjitha grupet parlamentare, opozita e kundërshtoi atë me arsyetimin se do ende kohë për shqyrtimin e projektligjeve. Pavarësisht se marrëveshja e 14 nëntorit mes mazhorancës dhe opozitës, ka parashikuar miratimin e dy Kodeve ligjore në muajt janar-shkurt dhe miratimin e ngritjes së Gjykatës Administrative në muajin mars.
Nënkryetari i grupit kuvendor demokrat, Edi Paloka tha se është shqetësuese qëndrimi i opozitës ndaj ligjeve me 3/5, i cili sipas tij s’është gjë tjetër veçse bllokues.
Sipas Edi Palokës, Shqipëria duhet të realizojë në kohë detyrimet që rrjedhin nga kërkesa për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda 2012-ës, dhe faktor kyç për këtë janë 12 rekomandimet e Komisionit Evropian.
“Gramoz Ruçi kërkoi heqjen nga kalendari të ligjeve me 3/5. Për ne përbën shqetësim sepse bie ndesh me marrëveshjen e 14 nëntorit, ku është rënë dakord që këto ligje të kalojnë me konsensus”, u shpreh Paloka.
Në njoftimin zyrtar të zyrës së shtypit të Kuvendit thuhet se kërkesa e Ruçit për të hequr nga kalendari projektligjet e mbetura, rrezikon seriozisht implementimin në kohë të marrëveshjes. Me shumicë votash Konferenca vendosi pa kosensus që këto projektligje të mbesin në kalendar dhe të fillohet nga puna në komision për shqyrtimin e tyre, në përputhje me pikën e parë dhe të shtatë të konferencës së kryetarëve të datës 14 nëntor 2011.