E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca: Ligj për ndalimin e kamerave të fshehta

Shfaqja e videos-skandal të ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, duket se i ka "djegur" keq mazhorancës. Pasi e dënoi publikisht atë rast, tashmë pas një jave, ajo duket se ka rimarrë veten dhe është hedhur në sulm kundra medias, që, jo vetëm e realizoi atë video, por edhe atyre të tjerave që e pasqyruan atë për ditë me radhë. Për t'i vënë fre përsëritjes së një rasti të tillë, shumica qeverisëse është duke menduar ndërmarrjen e masave parandaluese.

Ka qenë nënkryetari Parlamentit ai që ka kërkuar dje, në sallën e Kuvendit, që legjislativi të ndërhyjë për të evituar ndërhyrjen e medias në atë që ai e konsideroi kompetencë të Prokurorisë. Për këtë, ai ka bërë dy propozime konkrete, të cilat konsistojnë në bërjen e një ligji që do të rregullonte sjelljen e medias, si dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, për të hetuar financimet e medias dhe, sidomos, marrëdhëniet e tyre financiare me qeverisjen vendore dhe atë qendrore.

"Ftoj Parlamentin ta rishikojë këtë çështje në komisionet parlamentare në dy drejtime: Në radhë të parë, se si përdoren mjetet e gjurmimeve të fshehta që, deri më sot, e dimë se janë kompetenca të Prokurorisë. Kjo jo të pengojë mediat që të përdorë këto mjete, kamerat e fshehta, por gjithmonë të ketë një disiplinim që njeh caqet e lirisë së njeriut, por edhe të interesit publik, sepse kemi qenë dëshmitarë dhe të dramave që transmetohen me kamerat e fshehta, që kalojnë kufijtë e interesit publik, dëmtojnë personat publikë.

Për këtë mendoj se duhet të ketë një ligj, që, transmetimi i tyre, të disiplinohet. Dhe, së dyti, krijimi i një komisioni hetimor, që do të shikonte raportet e medias, sidomos të medias elektronike me qeverisjen, qoftë qendrore, qoftë vendore", - tha Ceka.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›