“Mazhoranca do të fitojë edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2013”
Flet kreu i LSI, Ilir Meta: Zgjedhjet e 8 majit e konfirmuan LSI-në si forcë të së ardhmes
LSI është optimiste se edhe zgjedhjet parlamentare të pas 2 viteve do konfirmojnë në pushtet mazhorancën aktuale. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta e ka cilësuar si mjaft pozitiv rezultatin që kjo forcë politike arriti në zgjedhjet lokale të 8 majit ndërsa ka shtuar se ky rezultat është pikënisja për zgjedhjet e 2013-ës.
Rezultatin e arritur nga LSI në zgjedhjet vendore të 8 majit, Meta e ka cilësuar si një konfirmim të qartë të besimit që qytetarët shqiptarë, në veçanti të rinjtë, kanë tek Lëvizja Socialiste për Integrim.
Në një takim me krerët e partisë në rrethe, Meta ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët votuan LSI-në duke shtuar se kjo forcë politike do të krijojë një platformë më të fortë dhe më të qartë për qytetarët. Po ashtu kreu i LSI-së, Meta i ka cilësuar zgjedhjet e 8 majit si procesin më transparent i cili ka ndodhur ndonjëherë në vendin tonë.
“LSI si pjesë e strukturave të administrimit të procesit zgjedhor këtë herë, arriti të kontribuonte për mbarëvajtjen e këtij procesi, për rritjen e transparencës së tij dhe të gjithë qytetarët shqiptarë janë dëshmitarë ashtu sikurse edhe vëzhguesit ndërkombëtarë se ky ka qenë procesi më transparent i cili ka ndodhur ndonjëherë në vendin tone”, u shpreh Meta.
Më tej në këtë takim kreu i LSI-së, ka falënderuar 120 mijë votuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në shkallë vendi për mbështetjen e konsiderueshme që i dhanë kësaj force politike duke i thënë kështu konfirmimin e një besimi të plotë, të qëndrueshëm dhe në rritje karshi LSI-së, si një forcë e domosdoshme për stabilitetin e vendit, për modernizimin e tij dhe njëkohësisht për shtimin e kontributeve të saj në drejtim të procesit integrues.
Ai ka falënderuar gjithashtu LSI-në e Tiranës, për punën e mrekullueshme që ka bërë, gati 21 mijë vota për Këshillin Bashkiak dhe më shumë se 23 mijë vota për Këshillat e Njësive Bashkiake. Ndër të tjera kreu i LSI-së, Meta bëri me dije se në qytetin e Tiranës LSI ka arritur rezultatin e saj më të mirë ndonjëherë, gati 70 për qind më shumë vota se sa në zgjedhjet e vitit 2009. Meta theksoi se për të gjithë Qarkun e Tiranës LSI ka gati mbi 30 mijë vota në këto zgjedhje dhe ku përsëri rezultati është gati 65 për qind më i lartë se sa në zgjedhjet e fundit të vitit 2009.
Po ashtu kreu i LSI-së, Meta falënderoi LSI-në e Shkodrës, Beratit, Durrësit, Elbasanit si dhe shumë njësive të tjera vendore, për një rritje shumë të ndjeshme, shumë pozitive dhe të fuqishme në të gjitha këto qytete.
Në vijim të këtij takimi me krerët e partive në rrethe, kreu i kësaj force politike, Meta paralajmëroi edhe mbledhjen e afërt të Këshillit kombëtar të LSI-së, ku do të vendoset për platformën e rezultateve, që sipas tij duhet t’i kushtohet qytetarëve. Ai ka bërë me dije se LSI brenda kësaj jave do të mbledhë Këshillin Drejtues Kombëtar, ku do të vendosë për platformën e analizës së këtyre rezultateve.