E Diel, 1 Nëntor 2026

BE apel politikës shqiptare: “Respektoni vendimet e institucioneve ligjore”

24-05-2011 / Gazeta 55

Bashkimi Evropian përsërit edhe njëherë se institucionet e ligjit në Shqipëri veprojnë në mënyrë të pavarur dhe si të tilla, duhet që politika t’i nënshtrohet aprovimit të vendimeve që rrjedhin nga presioni i ligjit si dhe i sovranit që është populli.
Reagimi i radhës i Brukselit vjen pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të miratuar tabelën përfundimtare të rezultatit të Tiranës, ndërsa nga ana tjetër Partia Socialiste tentoi me çdo kusht të snobonte detyrimet ligjore si dhe, as të mos konsideronte të vlefshme votën e qytetarëve të Tiranës, për kryetarin e bashkisë. Shefja e diplomacisë së BE-së, banoresh Catherine Ashton, ka reaguar dje, duke i kërkuar faktorit politik shqiptar respektimin e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Bashkimi Evropian po e ndjek nga shumë afër situatën politike në Shqipëri pas zgjedhjeve administrative të 8 majit. Ne jemi shprehur në qëndrimet tona zyrtare se institucionet ligjore marrin vendimet sipas ligjeve në fuqi. Është e rëndësishme që edhe politika të trajtojë me seriozitet verdiktin final të ligjit”, ka deklaruar komisionerja për politikën e Jashtme në Bashkimin Evropian, Catherine Ashton. 

Kryediplomati italian, Franco Frattini/ “Mos e politizoni procesin zgjedhor”
Pas takimit të mëngjesit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, u prononcua i pyetur mbi procesin post-zgjedhor në Shqipëri. Sipas tij, numërimi i votave është përgjegjësi e organeve kompetente dhe si e tillë janë këto institucione ato që duhet të zbatojnë me përpikëri ligjin. “Në mëngjes nuk kemi folur për Shqipërinë dhe as dje në gjirin e partisë popullore europiane, por sot në mëngjes kam takuar ministrin e Jashtëm, Haxhinasto, që ndodhet nê Bruksel. Nëse ka kontestime për numërimin e votave në qytetin e Tiranës, unë mendoj, se çështja duhet tu kalojë organeve kompetente, që do të ishin një gjykatë administrative dhe një gjykatë e shkallës së dytë, që janë kompetente ligjërisht dhe juridikisht për t’u shprehur nëse votat janë numëruar me ekzaktësi dhe nëse rezultati i shpallur duhet të mbështetet apo jo”, u shpreh ministri i Jashtëm italian, Frattini.
Ai kujtoi se rezultati i ngushtë prej 80 votash mes dy kandidatëve, nuk duhet të tentojë politizimin e procesit si dhe të verë Shqipërinë në situatë të papërshtatshme. “Ajo që do ishte shumë e gabuar tani është që të përdorej rezultati i votave të kontestuara, që është një rezultat i ngushtë me diferencë 80 votash për të politizuar procesin dhe për ta vënë Shqipërinë në një pozicion kompleks, pasi është në fjalë përafrimi i Shqipërisë me Bashkimin Europian. Kështu që, të lëmë organet kompetente, duke përshirë edhe ato gjyqësore dhe pastaj do të shohim vendimin e tyre”, tha saktësisht Frattini.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›