E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca e re/Tre deputetët socialistë bashkohen me Berishën

Nga Renato Dauti

Kuvendi miraton me 72 vota, ndryshimet e reja në qeveri

islam_islamiEdhe pse Lëvizja Socialiste për Integrim u largua nga qeveria, mazhoranca duket se i ka numrat e saj për të qeverisur e qete deri në fund të mandatit. Për këtë kryeministrit Berisha i kanë ardhur në ndihmë tre deputetët e larguar nga Partia Socialiste.
Votimi i ministrave
Parlamenti ka votuar dje me 72 vota pro e reja në kabinetin qeveritar. 69 votave të deputetëve të maxhorancës iu janë shtuar edhe votat e deputetëve të larguar të Partisë Socialiste, Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli. Ndërsa deputetët e PS-së dhe ata të LSI-së kanë abstenuar ndaj këtyre votimeve. Pas konfirmimit të kabinetit, kryeministri Sali Berisha mbajti një fjalim të shkurtër duke i kujtuar kreut të opozitës, Edi Rama se pas katër vitesh mbeti në minorancë pavarësisht koalicioneve të fundit. Kjo është një votë historike ku ju përmbysët përpjekjen e Edi Ramës për të shkuar në qeveri teknike me të cilën dështoi. Minorancë e nisët, minorancë e sosët, minorancë do të mbeteni, tha kryeministri Berisha duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.
Votimi
Në të katërt votimet e zhvilluara dje për zgjedhjen e kabinetit, kandidaturat e maxhorancës arritën të merrnin 72 vota. Kështu parlamenti miratoi, Myqerem Tafaj në postin e zëvendëskryeministrit, njëherësh edhe atë të ministrit të Arsimit, Halim Kosova në postin e ministrit të Shëndetësisë, Florion Mima në postin e ministrisë së Ekonomisë dhe Visar Zhiti si ministër i Kulturës. Pas votimit të Kuvend të katër këta emra u betuan përpara Presidentit Bujar Nishani. Ndryshimet në qeveri erdhën si rezultat i daljes së Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni qeveritar dhe vendimi i tyre për të tërhequr ministrat e saj nga qeveria. Emrat e rinj të ministrave u bënë publik mbrëmjen e së mërkurës, vetëm pak orë pasi LSI deklaroi zyrtarisht largimin nga qeveria dhe bashkëpunimin e saj parazgjedhor me PS-së.

Shfaqësohet Dogjani: Ja pse votova pro ndryshimeve në qeveri
Deputeti Asllan Dogjani, i cili vetëm pak ditë më parë është tërhequr nga Partia Socialiste duke dalë si deputet i pavarur, ka shpjeguar në rrjetin social Facebook votën pro për emërimin e ministrave të rinj të kabinetit Berisha. Unë votova për ministrat e rinj pasi disa prej tyre i njoh personalisht dhe kam besim tek ata, kanë dhënë prova se dinë të punojnë dhe tu shërbejnë qytetareve shqiptarë, ku ndër ta mund të përmend ministrin, Halim Kosova, shkruan Dogjani. Në vijim të shkrimit të tij, Dogjani shprehet kundër koalicionit PS-LSI ndërsa konfirmon edhe një herë kandidimin e tij si deputet i pavarur në zgjedhjet e 23 qershorit.

Erion Braçe qorton Kadelin e Dogjanin
Votimi i ministrave të rinj të propozuar nga Berisha nga ana e ish-deputetëve të majtë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të deputetit socilaist Erjon Braçe. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Braçe ka shprehur se i ka miq të dy deputetët, Kadeli dhe Dogjani, dhe mund të justifikohen me argumente qëndrimet e tyre ndaj Edi Ramës, por nuk mund të pranojë kurrsesi nga asnjë i majtë votën pro ndaj ministrave të propozuar nga Kryeministri. Nuk mund të justifikohet kurrë, me asgjë, vota juaj pro ministrave të Sali Berishës. Nuk e pranoj nga asnjë socialist këtë! Do ta refuzoj gjithnjë dhe ndaj kujtdo që do ta bëjë, qoftë edhe miku im!, shkruan Braçe.

Kryeministri feston në pub pas ndryshimeve në qeveri
Edhe pse ditët e fundit kanë qenë tejet të ngarkuar për kryeministrin, Sali Berisha pas largimit të LSI-së nga koalicioni qeveritar kjo nuk e ka penguar aspak kreun e qeverisë që ti bashkohet festës së të rinjve demokratë në një nga lokalet e kryeqytetit. Sipas njoftimit të bërë publik nga vetë kryeministri Berisha në rrjetin social Facebook, mbrëmjen e së mërkurës pas dorëzoi në Presidencë emrat e ministrave të rinj u është bashkuar festës së të rinjve demokrat. Të dashur miq, pas një dite të ngjeshur pune që filloi me vizitën time në kompaninë e përpunimit të peshkut Koral dhe u mbyll me dorëzimin tek Presidenti i Republikës të propozimeve për ministrat e rinj, pata kënaqësinë e veçantë të jem i ftuar i të rinjve të Forumit Rinor të Fakultetit Juridik që festonin së bashku, në një takim elektoral, në një pub afër shtëpisë sime. Atmosfera festive, entuziazmi dhe optimizmi i madh për mandatin tone te ri, bisedat e shkurtra, por të gëzueshme dhe mbresëlënëse, për mua bënë që unë të largohesha prej tyre i çlodhur dhe i frymëzuar. Për ne rinia është arkitektja e fitoreve dhe reformave tona, shkruan kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›