Pitella: Aleanca e së majtës do ta fusë Shqipërinë në BE
Zëvendëspresidenti i PE-së takime me Ramën e Metën
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Gianni Pitella zhvilloi një takim me kryetrarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta pas vendimit të këtyre dy të fundit për një koalicion parazgjedhor mes tyre. Pas përfundimit të takimit me kreun e PS-së, Rama, Pitella tha se përshëndet vendimin për të bashkëpunuar mes PS-së dhe LSI-së për fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit. Vendosa të vij personalisht të falenderoj mikun tim Ilir Meta dhe falenderova mikun dhe shokun tim Edi Rama për arritjen e marrëveshjes, si dhe për t’i uruar dhe për t’i komunikuar në emër të Presidentit të Parlamentit Evropian dhe forcave të qendrës së majtë evropiane përgëzimet tona për bashkimin e së majtës shqiptare, për të lënë pas të shkuarën dhe për të nisur një rrugë të re, tha Pitella. Sipas tij ky koalicion mund të bëjë realitet ëndrrën e shqiptarëve për në BE. Ne duhet të bëjmë realitet ëndrrën e shqiptarëve për të qenë më pranë Evropës dhe aleanca e re e forcave të majta do të ndihmojë jashtëzakonisht në këtë drejtim. I thashë Metës dhe Ramës se i garantoj për mbështetjen e fortë”, u shpreh Pitella. Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta tha se miratimi i tre ligjeve është ende i mundur në mënyrë që vendi të marrë statusin. LSI e ka filluar këtë ditë si një forcë në opozitë, por gjithnjë me angazhimin kryesor për t’i kontribuar stabilitetit të vendit dhe në mënyrë të veçantë përshpejtimit të procesit të integrimit evropian. Ky proces të marrë një impuls të ri brenda këtij mandati të Parlamentit dhe besoj se ekzistojnë të gjitha mundësitë për të ecur përpara më shpejt në këtë drejtim”, tha Meta.