Mazhoranca e vendosur të çojë procesin deri në fund
Votohet të hënën në Parlament ligji i hapjes së dosjeve. Në projektin përfundimtar përfshihen edhe amendimet e Komisionit të Ligjeve për zgjerimin e rrethit të personave që do t’i nënshtrohen zbatimit të ligjit të verifikimit të figurës
TIRANE - Ligji “Për pastërtinë e figurave të ish zyrtarëve të lartë” apo siç quhet ndryshe ligji i dosjeve pritet të kalojë për votim ditën e hënë në Parlament. Kjo bëhet e ditur sipas burimeve zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë.
Fakti se opozita po e konteston me forcë këtë projektligj, duke pasur parasysh se në radhët e saj vazhdojnë ende të aderojnë persona që i kanë shërbyer shërbimit të asaj kohe, tregon se ajo po përpiqet të mbrojë ata persona që kanë shërbyer në diktaturën e Hoxhës dhe kanë dhunuar, vrarë dhe kanë kryer monstruozitet ndaj qindra qytetarëve shqiptarë disidentë. Megjithatë Partia Demokratike duket e vendosur në nismën e saj për miratimin në kuvend të ligjit të dosjeve i cili do të ndihmojë në pastrimin e administratës publike nga ish shërbëtorët e sigurimit të shtetit. Ligji i dosjeve është sa i mirëpritur dhe i shumëpritur, po aq edhe i mbështetur fuqimisht nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë. Shoqatat e ish të përndjekurve politikë, e cila ka qenë dhe shtresa me e persekutuar në atë kohë, ka kërkuar me ngulm miratimin e këtij projektligji nga Parlament, për të pastruar njëherë e përgjithmonë administratën shtetërore nga mbetjet ogurzeza të regjimit famëkeq të komunizmit.
Bojkotimi dhe amendimet
Një javë më parë, seancën e së hënës së kaluar të Kuvendit të Shqipërisë, e majta kundërshtoi projektligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit. Vendin deklaratave politike gjatë diskutimeve e zuri braktisja e seancës nga deputetët socialist, në momente kur diskutohej dhe votohej projektligji për hapjen e dosjeve të ish-regjimit komunist.
Pas kësaj braktisje dhe shtyrjes që Kuvendi i bëri një javë më parë, votimit të ligjit “Për pastërtinë e figurave të ish zyrtarëve të lartë, Komisioni parlamentar i Ligjeve ka miratuar së fundmi një amendament shtesë në këtë projektligj. Amendimi shtesë ka të bëjë me nenit 3 të këtij projektligji, i cili lidhet me numrin e subjekteve verifikuese. Sipas amendimit, të propozuar nga 5 deputetë të komisionit të medias, procesit të verifikimit do t'i nënshtrohen drejtuesit e RTSH-së, siç janë “Drejtori i Përgjithshëm, Nëndrejtorët e Përgjithshëm, Drejtori dhe Nëndrejtori i Radios, Drejtori dhe Nëndrejtori i TV-se dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar”.
Amendimi parashikon më tej se procesit të verifikimit për pastërtinë e figurës do ti nënshtrohen dhe drejtuesit e ATSH-së, përfshirë “Drejtorin, Nëndrejtorin dhe drejtorët e departamenteve në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, si dhe anëtarët e Këshillave drejtuese të mediave publike”.
Sipas nenit 3 të këtij projektligji, subjekt verifikimi të këtij ligji janë të gjithë funksionarët të zgjedhur apo të emëruar të cilët ushtrojnë funksione të rëndësishme drejtuese, këtij neni do ti bashkëngjitet dhe amendamenti shtesë i cili ka të bëjë me drejtuesit e mediave. Pas miratimit nga Komisioni i Ligjeve, ky amendim do ti bashkëngjitet pikave të tjera që përfshin neni 3, nga ku pritet dhe votimi i tij ditën e hënë në Parlament.
Historia e ligjit
Megjithëse prej disa muajsh Partia Demokratike po tenton të miratojë këtë projektligj duket se opozita nuk është e gatshme të japë konsensusin e saj, duke braktisur sallën e parlamentit sikurse ka filluar ta bëjë zakon këto kohët e fundit. Ligji që do të miratohet në Kuvend është depozituar nga Partia Demokratike afro tre vjet më parë, dhe i referohet atij të vitit 2005, dhe ka në bazë të tij variantin çek, të konsideruar si më të përshtatshim për një vend ish-komunist siç është Shqipëria. Mos dhënia e konsensusit nga ana e opozitës duket se ka në epiqendër kryesocialistin Edi Rama, të cilin duket se e ka mbërthyer paniku, nga zbardhja e bëmave monstruoze të njerëzve të tij komunistë ndaj shqiptarëve, si dhe për firmat qe ka vendosur i ati i tij ne varjen dhe ekzekutimin e njerëzve të pafajshëm në funksionin e anëtarit te Presidiumit famëkeq te Kuvendit Popullor.
Ligji për dosjet, që përmban 29 nene, është bazuar në modelin çek. Ai synon të kontrollojë çdo funksionar publik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politikbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit, si dhe në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit. Projekti, me një shtrirje në kohë përreth 45 vjet, parashikon verifikimin e figurave të funksionarëve publikë, përfshirë Presidentin e Republikës, deputetët e Kuvendit, anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, funksionarë të lartë politikë e administrativë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve.
Zbatimi i ligjit do të bëhet nga Autoriteti i Kontrollit të Figurave, i cili do të ketë 5 anëtarë, dy përfaqësues të shumicës parlamentare dhe dy të opozitës, së bashku me kryetarin e Autoritetit, i cili do të zgjidhet me konsensus.