E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada Shqiptare në New Dehli, urë lidhëse mes dy vendeve

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha mbyll vizitën tre ditore në Indi

TIRANE - Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, ka zhvilluar një vizitë zyrtare, treditore në Indi, me ftesë të Ministrit të Jashtëm të Indisë, Pranab Mukherjee. Gjatë takimit zyrtar që Ministri Basha zhvilloi me Ministrin e Jashtëm të Indisë, u diskutuan gjerësisht intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe në fushën politike, ekonomike si dhe bashkëpunimi në organizatat ndërkombëtare.
Dy Ministrat konstatuan marrëdhëniet e mira politike midis dy vendeve dhe rikonfirmuan vullnetin e Tiranës dhe Delhit për t’i ngritur ato në një nivel më të lartë bashkëpunimi të gjithanshëm, ku një ndihmë të madhe për këtë bashkëpunim do të japë edhe Ambasada Shqiptare në New Dehli, hapja zyrtare e së cilës u bë gjatë vizitës që Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha zhvilloi në Indi. Në këtë kuadër Ministri i Jashtëm Indian, njoftoi Ministrin Basha se qeveria e tij ka vendosur hapjen në një të ardhme shumë të afërt të Ambasadës së Indisë në Tiranë.
Gjatë takimit dy homologët theksuan se ekonomia indiane, një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë në botë, dhe ajo shqiptare e cila po përjeton fazën më dinamike të zhvillimit dhe rritjes së saj, duhet të përfitojnë nga potencialet e mëdha të pashfrytëzuara të bashkëpunimit midis tyre.
Po në planin ekonomik, dy ministrat u angazhuan për nënshkrimin brenda një kohe të shpejtë të marrëveshjeve për  “Heqjen e taksimit të dyfishtë” dhe “Nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve”, të cilat do të mundësojnë zhvillimin e përshpejtuar të marrëdhënieve midis biznesit dhe investitorëve në të dy vendet. Rëndësi të veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit në fushën e Teknologjisë së Informacionit, ku India ka një eksperiencë shumë të zhvilluar.
Pala indiane gjithashtu shfaqi interes të veçantë në sektorët energjetikë, minerarë, farmaceutikë, transportin detar etj. Ndjekja me përparësi e mundësive për investime dhe bashkëpunim ekonomik në këto fusha zuri një vend kryesor gjatë bisedimeve. Bashkëbiseduesit e cilësuan të rëndësishëm bashkëpunimin midis komunitetit të bizneseve të dy vendeve dhe u angazhuan për rritjen e kontakteve midis Dhomave të Tregtisë, ku ekzistojnë hapësira konkrete për investimin dypalësh.
Ministri Basha u ndal edhe tek sulmet terroriste në Mubai, ku shprehu edhe njëherë ngushëllimet dhe ndjenjat e solidaritetit me viktimat dhe qeverinë indiane. Dy homologët nënvizuan se terrorizmi mbetet kërcënim dhe sfidë kapitale për të gjithë komunitetin ndërkombëtar, ndaj nevoja për bashkëpunim të ngushtë midis gjithë shteteve dhe qeverive për tu përballur me këtë të keqe nuk ka qenë kurrë më e madhe. Ministri Basha  u ndal edhe tek zhvillimet në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj në arenën ndërkombëtare, duke vënë theksin tek ndikimi pozitiv që kjo ka pasur për paqen, sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin.
Një tjetër aspekt i bisedimeve ishte dhe bashkëpunimi shumëpalësh për të thelluar dialogun midis kulturave dhe qytetërimeve, ku Shqipëria dhe India ndajnë pikëpamje të ngjashme të cilat rrjedhin nga traditat respektive të harmonisë, dialogut dhe bashkëjetesës fetare dhe kulturore në të dy vendet. 
Në planin e trashëgimisë kulturore, dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek figurat e Ustad Isa Mehmet, njërit prej arkitekteve të Taj Mahal, me origjinë shqiptare dhe të Nënë Terezës, vepra dhe kujtimi i së cilës janë një thesar i përbashkët që populli shqiptar dhe indian i kanë dhuruar mbarë njerëzimit. Gjatë vizitës së tij treditore në Indi, Ministri Basha pati një ndalesë në Kalkuta, ku bëri homazhe para Memorialit të Nënë Terezës dhe vizitoi Urdhrin e Saj. Gjatë qëndrimit në Kalkuta, Ministri Basha u takua me Kryeministrin e Bengalit Perëndimor, Buddhadeb Bhattacharya, me të cilin diskutuan bashkëpunimin në fushën ekonomike, si dhe mbajti një fjalim para Konfederatës së Industrisë Indiane të Bengalit, ku u bë një prezantim nga ALBINVEST për mundësitë që ofron Shqipëria për investime. Ministri Basha shoqërohej në këtë vizitë nga Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, si dhe nga përfaqësues të biznesit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›