“Edi Rama të mos mashtrojnë, të kërkojë falje për firmat ndëshkuese të babait të tij”
Reagon Partia Demokratike ndaj trillimeve të opozitës
TIRANE - Partia Demokratike ka hedhur poshtë ditën e djeshme trillimet dhe mashtrimet e opozitës për ligjin e lustracionit, i cili ka të bëjë më projektligjin “Për pastërtinë e figurave të ish zyrtarëve të lartë”. Me anë të një deklarate për shtyp zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani ka sqaruar se “Ligji qe ndodhet ne Parlament është kopje e zbutur e ligjit të vitit 1995, i cili ka qene varianti identik i Ligjit çek të vitit 1991”.
Sipas zëdhënësit të PD-së, Gerti Bogdani “Ligji Çek i vitit 1991 është vlerësuar kushtetues nga gjykata e Çekosllovakisë dhe pas shpërbërjes në Çeki dhe Sllovaki, është gjykuar përsëri nga gjykata çeke dhe është gjetur kushtetues”.
Duke vërtetuar kushtetutshmërinë e ligjit shqiptar, në deklaratë sqarohet se “Ligji shqiptar i vitit 1995 është gjykuar nga gjykata kushtetues në fund të janarit 1996 dhe është gjetur kushtetues”.
Deklarata citon dhe pikën 4 të nenit çek, e cila thotë se, “Parashikohet certifikimi i pastërtisë për pozicionet e gjykatësve, ndihmësgjykatësve, prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore, noterëve publikë, arbitrazhit shtetëror, etj”, nen i cili sipas deklaratës së PD-së, hedh poshtë fund e krye pretendimin e opozitës se ky ligj nuk merr parasysh gjykatësit dhe prokurorët dhe ndihmësit e tyre.
Deklarata ndalet më tej dhe në ligjin e dorëzuar në Parlamentin e Shqipërisë nga Bamir Topi në vitin 2006, ku neni 3, pika c, ҫ, dhe gj, ku thuhet se, “subjekte të verifikimit të përgjithshëm janë zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme sipas rangjeve të caktuara në piken c dhe gjyqtarë e prokurorë”, nen ky që hedh sërish poshtë pretendimin e socialistëve se ky variant nuk parashikon gjykatës dhe prokurorë dhe ndihmësit e tyre.
Duke iu referuar Gjykatës së Strasburgut, në deklaratën për shtyp, sqarohet më tej se “Në asnjë rast Gjykata e Strasburgut nuk ka hedhur poshtë asnjë ligj të lustracionit. Ndërsa Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kërkon që të gjykohen dhe dënohen gjykatësit, prokurorët dhe punonjësit e policisë sekrete të cilët kanë kryer vepra penale, edhe pse në kohën e kryerjes mund të mos kenë qenë vepra penale për ligjet e vendit, por janë të tilla, pra vepra penale, për vendet e lira”, çka do të thotë se gjithçka opozita ka pohuar deri më tani për ligjin e dosjeve, nuk është veçse një trillim.
Duke iu referuar asaj çfarë Edi Rama ka deklaruar deri më tani për ligjin e dosjeve, Partia Demokratike, del në përfundimin se “Sipas deklaratave të vazhdueshme të Edi Ramës vetëm xhelatët, ata që kanë lidhur njerëz me tela me gjemba dhe që kanë dënuar e varur njerëz të pafajshëm, mund të bëjnë drejtësi në Shqipëri”.
Në deklaratën për shtyp, Partia Demokratike “i bën thirrje Edi Ramës të kërkojë të falur publike për firmat që ka vendosur i ati i tij në varjen dhe ekzekutimin e njerëzve të pafajshëm në funksionin e anëtarit të Presidiumit famëkeq të Kuvendit Popullor”, përfundon deklarata për shtyp e PD-së