E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbërrin në Tiranë kontingjenti i parë i paqeruajtësve shqiptarë në Irak

Paqeruajtësit përmbushën me sukses misionin e tyre paqeruajtës, Shqipëria, kontribuese e rëndësishme e stabilitetit, në rajon e më gjerë

TIRANE - Një kontingjent prej 95 ushtarësh dhe ushtarakësh shqiptarë, që përfundoi me sukses misionin në Bagdad,  mbërriti dje pas mesdite  në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, Tiranë. Në përfundim të detyrës dhe të mbylljes së misionit, trupat paqeruajtëse u pritën nga Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Maksim Malaj.
Ministri shqiptar i Mbrojtjes Gazmend Oketa shprehu një falënderim të veçantë për të gjithë ushtarakët shqiptarë që kanë ngritur lart në këto 5 vjet flamurin shqiptar dhe e kanë nderuar popullin tonë. Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Maksim Malaj kanë dhënë dje një deklaratë për shtyp, në aeroportin ushtarak në Rinas, në prani të mediave vendase e të huaja. Gjatë fjalës së tij, Ministri Oketa ka shprehur edhe një herë mirënjohjen dhe falënderimin për paqeruajtësit shqiptarë në misionin e tyre 5 vjeçar.
Duke iu drejtuar forcave ushtarake të sapo kthyera, Oketa theksoi se “Ju, mbajtët me nder e krenari flamurin shqiptar, ju nderuat Shqipërinë, popullin Shqiptar, Forcat e Armatosura Shqiptare dhe shkruat një faqe tjetër në historinë e kombit tonë. Ju keni qenë ura e forcimit të lidhjeve dhe miqësisë mes Shqipërisë dhe SHBA, me gjithë aleatët dhe partnerët tanë dhe të Shqipërisë me popullin dhe qeverinë irakiane dhe të gjitha këto do të mbeten gjatë në kujtesën tonë”.
Gjithashtu ai ka përcjellë urimet më të mira dhe falënderimet më të ngrohta të Komandantit të Përgjithshëm të FA dhe President i Republikës Bamir Topi dhe  Kryeministrit Sali Berisha.
Duke iu referuar misionit të trupave tona ushtarake në Irak, Ministri i Mbrotjes u shpreh se “Më shumë se 5 vjet më parë, trupat shqiptare iu bashkuan Koalicionit “Liria e Irakut”, ku vendet bashkuan vullnetin dhe forcat e tyre, me qëllim që në mënyrë të suksesshme të fitonin luftën globale kundër terrorizmit dhe t’a çlironin Irakun nga regjimi diktatorial i Sadam Hussein, duke mbrojtur kështu vlerat demokratike dhe lirinë. Kjo ishte një betejë midis diktaturës dhe atyre si ne, që duam lirinë dhe paqen”, është shprehur Oketa në fjalën e tij.
Lidhur me rezultatet e arritura dhe me misionin e tyre paqësor, Oketa theksoi se “Si partnerë, ju keni luftuar dhe bashkëpunuar, ju keni arritur objektiva të vështira, ju keni vepruar me aftësi dhe me guxim, ju i keni treguar armiqve të lirisë se ju nuk do të dorëzoheni kurrë dhe se ju do të luftoni gjithnjë për lirinë”.
Ministri i Mbrojtjes vlerësoi se përfundimi i misionit në Irak dhe tërheqja e trupave tregon tashmë se sot Iraku është një realitet tjetër. Në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes ka falënderuar thellësisht dhe ka shprehur edhe një herë mirënjohjen për Qeverinë e SHBA-ve, për burrat dhe gratë trime Amerikane në uniformë, për mbështetjen e e rëndësishme që i kanë dhënë trupave tona, për bashkëpunimin tepër të frytshëm dhe për miqësinë e ofruar. Në fund të fjalës së tij Ministri Gazmend Oketa ka falënderuar me përzemërsi të gjithë familjarët për sakrificat dhe mbështetjen që u kanë dhënë, si një faktor mjaft i rëndësishëm në suksesin dhe përmbushjen e një detyre. 
Suksesit të këtij misioni 5 vjeçar i shtohet edhe fakti se trupat shqiptare nuk kanë pasur asnjë humbje dhe incident të rëndë gjatë kryerjes së detyrës. Misionin “Liria e Irakut” filloi në prill 2003, me kontributin e pazëvendësueshëm të trupave ushtarake të Regjimentit Komando. Kontingjenti i parë ka pasur në përbërje të tij 71 ushtarakë, të cilat më pas, në kontingjentin e pestë u rritën në numër me 120, duke u shndërruar në kompani komando. Gjithsej në misionin 5 vjeçar në Irak, kanë marrë pjesë 1 338 ushtarakë shqiptarë. Çdo kontingjent ka shërbyer për një periudhë 6 mujore. Kontingjentet shqiptare kanë qenë vendosur në veri të Irakut, në qytetin e dytë më të madh të tij, Mosul, ndërsa kontingjenti shtesë ka shërbyer në Bagdad. Trupat tona qenë pjesë përbërëse e Brigadës Shumëkombëshe të drejtuar nga SHBA. Aktualisht vazhdon kryerja e misionit nga Kontingjenti i 12-të, i cili e përfundon detyrën më datën 23 dhjetor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›