“Miratimi i ligjit të dosjeve, detyrim për shtetin shqiptar dhe ndërgjegjen kombëtare”
Ish-të përndjekurit politikë të Shkodrës kërkojnë miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve SHKODER – Ish-të përndjekurit politikë të Shkodrës shprehën dje qëndrimin e tyre “pro” miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë, të ligjit të hapjes së dosjeve. Reagimin e tyre, përfaqësues të kësaj shtrese e shprehën përmes një deklarate për shtyp që shpërndanë dje për mediat. Nëpërmjet kësaj deklarate, Shoqata e ish-të përndjekurve politikë të degës së Shkodrës reagoi edhe ndaj pengesës që i është krijuar miratimit të këtij ligji nga një pjesë e deputetëve. “Shoqata jonë po ndjek me shqetësim të madh debatin ndaj ligjit për hapjen e dosjeve. Është për t’u çuditur se janë pikërisht më të zellshmit e zbatimit të luftës së klasave, që sot e kundërshtojnë këtë projektligj”, thuhej midis të tjerave në deklaratën e ish-të përndjekurve politikë të Shkodrës, e bërë publike nga anëtari i kryesisë së kësaj dege, Rauf Uruçi. “Ky qëndrim tregon edhe një herë se regjimi komunist ishte aq barbar, aq kriminel dhe aq i pamoralshëm, sa që edhe pendesën kërkon ta penalizojë”, thekson deklarata, ku shprehet mospajtimi me praninë ende të “përfaqësuesve të regjimit të kaluar në institucionet e rëndësishme shtetërore”. “Si mundet Shqipëria të reklamohet si një shtet demokratik, kur në institucionet më të rëndësishme, si Parlamenti, Prokuroria, Gjykatat, etj., zënë vend po ata kriminelë që çuditën botën me krimet e tyre”, thuhet në deklaratën e ish-të përndjekurve politikë të degës së Shkodrës. Sipas tyre, ligji për genocidin komunist, “ndonëse me vonesë, është një detyrim për shtetin dhe shoqërinë shqiptare, është një detyrim për ndërgjegjen kombëtare”. “Pa këtë ligj shoqëria shqiptare kurrë nuk do të ketë qetësi e mirëkuptim. Ne asnjëherë nuk kërkuam hakmarrje, por kjo nuk do të thotë se nuk kërkuam një ligj për hapjen e dosjeve, që të dallohet viktima nga persekutori”, thuhet në deklaratën e ish-të përndjekurve politikë të degës së Shkodrës.
...