Meta: Edi Rama është identifikuar si problemi kryesor i zgjedhjeve
Kreu i LSI-së e ka vënë gishtin tek kryetari i Partisë Socialiste si problemi kryesor i zgjedhjeve shqiptare dhe si frymëzuesin e dhunës që strukturat e bashkisë ushtrojnë rrugëve të kryeqytetit
TIRANE - Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka sulmuar ashpër kryebashkiakun Edi Rama për indiferentizmin e tij, lidhur me diskutimet për ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor. Denoncimin e tij të përsëritur, ish-kryeministri Meta e ka bërë në një takim me banorë të minibashkisë Nr. 1 në Tiranë.
Kryetari i LSI-ë ka denoncuar dje gjithashtu edhe dhunën që Policia Bashkiake e Tiranës ka ushtruar ndaj disa familjeve për shkak të prishjes së disa ndërtimeve që ndodhen aktualisht tashmë në proces legalizimi
Frika për diskutimin e Kodit Zgjedhor
Për sa i përket ftesës zyrtare të dërguar Kryetarit të PS për të diskutuar për standardet e zgjedhjeve, Meta akuzoi Ramën për papjekuri dhe hipokrizi. “Kam dy javë që i kam dërguar një letër për t’u takuar dhe për të biseduar për problemin e standardit të zgjedhjeve, meqenëse Presidenti e ktheu Kodin, sepse ishte një Kod i papjekur, ishte një Kod shtatanik dhe i dështuar, ndërsa, ai ka dy javë dhe nuk kthen dot një përgjigje zyrtare. Si mund të ketë politikë të re pa dialog? Si mund të ketë politikë të re duke mohuar elementin më fillestar, dialogun”, deklaroi Meta.
Po dje kreu i LSI-së, gjatë një intervistë dhënë për gazetën “Tribuna”, një e përditshme që del në gjuhën shqipe në Greqi, akuzoi Edi Ramën si “problemi kryesor i zgjedhjeve dhe
i standardeve që duhet të arrijë Kodi, qëllimet e tij janë tepër të ngushta, thjesht për të dëmtuar, duke marrë njëkohësisht një faturë tepër të madhe sa i përket integritetit të zgjedhjeve të ardhshme”. “Nuk ndodh në asnjë vend të botës që një parti kryesore e opozitës, siç është rasti i PS në vendin tonë, të ulë garancitë e zgjedhjeve dhe të krijojë probleme të mëdha brenda opozitës. Megjithatë kjo tregon gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet lidershipi i kësaj partie, që vepron dhe në kundërshtim me historinë e saj”, deklaro Meta.
Dhuna e kryebashkiakut
Kreu i LSI-së ka denoncuar dje edhe dhunën që Policia Bashkiake e Tiranës ka ushtruar ditët e fundit ndaj disa familjeve për shkak të prishjes së disa ndërtimeve që ndodhen aktualisht tashmë në proces legalizimi. Gjatë takimit me anëtarë të njësisë bashkiake Nr. 1 në Tiranë, Meta tha se nuk mund të jetë garant për të vendosur një qeverisje që bazohet mbi ligjin, mbi drejtësinë sociale, “një Kryetar Bashkie, i cili dhunon së bashku me institucionet që ka në varësinë e tij, pronën e qytetarëve”.
Duke folur për projektbuxhetin e Tiranës të diskutuar së fundmi në Këshillin Bashkiak, Meta u shpreh se “qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërinë nuk mund të presin një alternativë më të mirë as nga kryetari i Bashkisë. Është bërë mbledhja për të diskutuar buxhetin e ri të Bashkisë dhe ka qenë një turp i vërtetë, sepse kryetari ka ikur në mbledhje për të thënë fjalët e tij dhe për të mos iu përgjigjur asnjë pyetjeje për buxhetin e bashkisë. Ai nuk ka durimin dhe nuk ka respektin për të dëgjuar një këshill, që e ka zgjedhur i gjithë qyteti, pavarësisht se çfarë përkatësie politike ka. Rama nuk mund të jetë garant për të vendosur ligj e drejtësi në një vend një kryetar bashkie që ka frikë dhe tmerr nga zgjedhjet e lira”, theksoi kreu i LSI-së.