E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS do të bojkotojë sërish miratimin e ligjit për dosjet

Arta Dade përsërit qëndrimin vetëpërjashtues

TIRANE - Partia Socialiste nuk do të marrë pjesë në votimin e ditës në nesërme në Kuvendin e Shqipërisë të projektligjit për hapjen e dosjeve të komunizmit. Kjo është konfirmuar dje nga Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në selinë rozë, Arta Dade.
“PS do të jetë prezent në seancën e së hënës për të kontestuar draftin për spiunët por do të bojkotojë votimin. Kjo do të jetë strategjia  e socialistëve për të mos votuar asnjë ligj derisa të kalojë kodi elektoral. Deputetët socialistë i kërkojnë edhe një herë mazhorancës të tërhiqet edhe një herë nga projektligji për spiunët, i cili shkel Kushtetutën dhe nuk ka ekspertizën ndërkombëtare. Ne jemi konsistencë në qëndrimet tona politike në respekt të Kushtetutës, në respekt të rregullores së Kuvendit, ne sikurse jemi deklaruar nuk do të marrim pjesë në asnjë votim ligji pa ardhur në seancë kodi zgjedhor dhe sigurisht do të mbajmë të njëjtin qëndrim që mbajtëm, kur projektligji u diskutua. Ne nuk kemi të bëjmë fare me këtë draft të paraqitur në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës. Qëndrimi ynë është konsistent dhe nuk ka asnjë arsye që ne ta ndryshojmë atë qëndrim”, deklaroi midis të tjerave Arta Dade.
Qëndrimet e ndërkombëtarëve edhe këtë radhë, Dade i cilëson si një leksion i radhës për kryeministrin Berisha.
Sipas saj, në draftin aktual mazhoranca nuk ka zbatuar rezolutën e Këshillit të Evropës që “parashikon gjithëpërfshirje dhe ekspertizë ndërkombëtare”.
Arta Dade pohoi ndërkaq se që në vitin 2006 dy draftet ekzistuese për pastërtinë e figurës së ish-zyrtarëve u bënë inekzistente për shkak se nuk u bë depozitimi i tyre konform rregullores së Kuvendit.
Opozita e majtë dhe kryesisht lidershipi socialist është shfaqur mjaft kritik gjatë javës së fundit mbi këtë çështje duke apeluar ndaj mazhorancës për rishikimin e këtij projekti. Pavarësisht apeleve të shumta nga ana e eksponentëve më të lartë të Partisë Demokratike, përfshi këtu edhe kryeministri Sali Berisha, PS nuk është lëkundur aspak në qëndrimin e saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›