Ndërkombëtarët: Të ndalet bojkoti, ndryshe Edi Rama do izolohet
Këshilli i Evropës s’ka folur në asnjë moment për mundësinë e hapjes së kutive, ndërkohë që tentativave të Edi Ramës për të shkaktuar përçarje në radhët e komunitetit ndërkombëtar, delegacioni i KiE-s i është përgjigjur me rekomandimin e qartë për ngritjen e komisionit hetimor vetëm brenda kuadrit kushtetues. “Të pakënaqurit t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias” ka qenë vlerësimi final i Stasburgut. Nëse bojkoti nuk ndërpritet, brenda pak ditësh, pritet një deklaratë finale që izolon përfundimisht partinë e Edi Ramës
Këshilli i Evropës i jep një tjetër shuplakë Edvin Ramës, duke i vënë një kusht domethënës për hyrjen në parlament. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE, Mevlut çavushoglu, u shpreh dje përmes një deklarate për shtyp delegacioni evropian nuk inkurajon hapjen e kutive të votimit, për sa kohë ka një standard ligjor për çështjet që i takojnë verdiktit të gjykatave. Krerët më të lartë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilët prej dy ditësh zhvilluan një vizitë zyrtare në Shqipëri, për t’u njohur më nga afër me situatën politike, u shprehën edhe njëherë duke iu referuar rezolutës së miratuar nga KiE më 28 janar se opozita duhet të rikthehet në parlament dhe të vijohet rruga e reformave madhore, që e presin vendin në rrugën e integrimit evropian. Të dërguarit evropianë, pas takimeve të zhvilluara me personalitetet më të larta të politikës dhe qeverisë shqiptare, si kryeministrin Sali Berisha, kryeparlamentaren Jozefina Topalli, Presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe kreun e opozitës, Edi Rama, dhanë një konferencë për shtyp lidhur me situatën politike në vend dhe për aspektet e mundshme të zgjidhjes së saj. Presidenti i Asamblesë së KiE, Mevlu çavushoglu, u shpreh se kompromisi duhet të realizohet në bazë të kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Ai deklaroi se KiE nuk inkurajon kurrsesi hapjen e kutive të votimit, kërkesë e fortë kjo nga ana e opozitës, por përsëriti rikthimin e saj në parlament për të kontribuuar në reforma. Në këtë drejtim ai i apeloi Edi Ramës që të mos e kthejë opozitën në Kuvend vetëm për një ditë, por të instalohet aty për të ardhmen e vendit. “Opozita duhet të kthehet në Kuvend. Deklarata jonë nuk është për njërën palë, është për të dyja, qeverinë dhe opozitën. Deklarojmë se opozita duhet t’i japë fund bojkotit dhe të kthehet në Kuvend, jo për një ditë, por kthim të përhershëm. Ndërkohë bëjmë thirrje për hetim të zgjedhjeve, por theksoj se ne nuk kemi përmendur hapjen e kutive. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe të vijohet me reformat. Ne urojmë që të arrihet kompromisi i nevojshëm, në të kundërt KiE do të japë rekomandimet e saj. Edhe njëherë theksoj se ne nuk përmendëm hapjen e kutive të votimit, por mbështetëm fort gjetjen e një kompromisi sipas ligjeve në fuqi. Edhe palët ranë dakord që situata të zgjidhet në bazë të Kushtetutës dhe ne jemi mbështetës të fortë të kësaj metodike që nuk cenon rendin ligjor”, u shpreh çavushoglu. Në vijim, ai përgëzoi nismën e qeverisë për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar sipas kërkesave të opozitës dhe me shumicë të kësaj të fundit. Sipas tij, ky koncension që bën mazhoranca, është mjaft tolerues. “Komisioni hetimor të ngrihet sipas rekomandimeve të rezolutës dhe vullnetit të qeverisë, atë ta udhëheqë opozita, por kjo e fundit duhet të rishikojë kthimin në sallën e Kuvendit”, tha Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlut çavushoglu, duke apeluar për nisjen e dialogut politik pa humbur kohë. “Unë ju bëj thirrje partive politike ti japin fund krizës politike në vend. Mungesa e dialogut parlamentar bllokon punën në institucionet shtetërore. Presim që çështja të zgjidhet menjëherë, palët të rigjejnë dialogun politik dhe duke filluar dhe nga ky moment”, u shpreh ndër të tjera kreu i delegacionit të të dërguarve evropianë, Mevlut çavushoglu. Nënkryetari i grupit Socialist në PE, Hannes Svoboda: PS të hyjë në parlament, rruga më e drejtë është thyerja e bojkotit Nënkryetar i grupit Socialist në Parlamentin Evropian, Hannes Svoboda, u shpreh dje gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kreun e opozitës, Edi Rama, se PS është votuar nga qytetarët për të qenë prezentë në parlament dhe se rruga më e drejtë në kushtet aktuale është thyerja e bojkotit. Në prani edhe të kryebojkotuesit Edi Rama, europarlamentari socialist u shpreh se PS duhet të rikthehet në parlament, pasi është kjo parti që njerëzit kanë votuar. Ai vuri në dukje se, PS duhet t’i shtrijë në mënyrë institucionale pretendimet e saj. “Anëtarët e delegacionit të Këshillit të Evropës mbështesin rekomandimet e rezolutës. PS duhet të shkojë në parlament dhe të rimarrë punën e saj. Të paraqesë një propozim konkret për transparencë të zgjedhjeve. Duhet të arrihet një kompromis nga të dyja palët. Kjo është një çështje e të ardhmes së vendit. Ne jemi vërtet kolegë, por puna jonë nuk është të ndërhyjmë në punët e brendshme, puna jonë është që të nxisim demokracinë. Ka 18 vjet që ne zhvillojmë takime me përfaqësues të Shqipërisë dhe problemi i zgjedhjeve ka qenë gjithmonë, kjo duhet të ndryshojë”, u shpreh nënkryetari i grupit socialist në Parlamentin Evropian, Hannes Svoboda. Lidhur me ngritjen e një komisioni hetimor, ai vlerësoi koncesionin e mazhorancës për t’ia lënë atë në “dorë” opozitës dhe avancimin e këtij procesi në respekt me ligjet dhe vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese, për komisionet hetimore parlamentare.
...