Mazhoranca mbyll fushatën elektorale në Shkodër dhe Durrës: Flaka e fitores është përhapur në mbarë vendin

Berisha: Në 4 vite Shqipëria do shndërrohet në vendin më të zhvilluar të rajonit
UPDATE- Pas Vlorës, Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” kanë mbyllur fushatën elektorale në dy qytete të rëndësishme Shkodër dhe Durrës. Kreu i qeverisë Sali Berisha në fjalën e tij para mijëra të pranishmëve në Shkodër dhe Durrës, kërkoi votën më 8 maj, për ndryshimin e madh sikundër tha ai, se brenda 4 viteve Shqipëria do jetë një ndër vendet më të zhvilluara të rajonit. Duke prezantuar për herë të fundit para qytetarëve kandidatin Ferdinand Xhaferaj, kryeministri Berisha tha se vota për z.Xhaferaj, është votë për më shumë punësim, për zhvillimin turistik dhe për ndërtimin e Durrësit Evropian me infrastrukturën më moderne. “Jemi mbledhur për të votuar Ferdinand Xhaferrin si qytetar të parë të Durrësit, duke paraqitur dhe njëherë këtë kandidat u garantoj se programi i tij do të mbështetet me të gjithë potencialet nga qeveria shqiptare. Vota juaj më 8 maj është para së gjithash votë për shndërrimin e Durrësit në një gjenerator gjigant për shtimin e vendeve të punës, kjo votë do i hapë rrugë krijimit të mijëra e mijëra vende pune në turizëm, industri e në të gjitha fushat”- u shpreh Berisha. Ai u zotua se gjatë këtij mandati do asfaltohet çdo rrugë e rrugicë, si dhe do shtohet e ndërtohet një nga bulevardet më madhështore në qytet ai Durrës-Kallm. Sipas tij vota për Xhaferrin do jetë votë për jetën akademike dhe universitare të qytetit. Këtu Berisha premtoi ndërtimin e Kampusit Universitar, i cili është dhe një nga objektivat kryesore të z.Xhaferaj në drejtimin e bashkisë së Durrësit.
Mazhoranca mbyll fushatën elektorale në Shkodër, Berisha: 8 maji, votë për integrimin e Shqipërisë
Më herët në mesditë Partia Demokratike dhe “Aleanca për Qytetarin” mbylli fushatën elektorale në qytetin e Shkodrës, ku për kryetar të kësaj bashkie në emër të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, kandidon Lorenc Luka. Duke shprehur mirënjohje për mbështetjen që Shkodra i ka dhënë Partisë Demokratike në vite, Berisha ftoi qytetarët shkodranë dhe të mbarë vendit që me votën e tyre ta shndërrojnë 8 majin në festën e madhe të demokracisë shqiptare, në festën e idealeve evropiane të qytetarëve të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë. “Sot vij tek ju për t’ju sjellë përshëndetjet më të përzemërta, por edhe frymën e flakën e fitores, dritën e saj që po ndriçon nga Saranda në Kukës, nga Tropoja në Gjirokastër, që si kurrë në historinë e saj pret 8 majin, Ditën e Evropës, si ditën e saj, si ditën e vlerave, ditën e idealeve të saj”- u shpreh Berisha. Duke shtuar se “8 Maji është dita e zgjedhjes që ju kurrë nuk e gabuat. Ju çdo votë, në tërë ekzistencën tuaj të lirë, e dhatë për vete, për Shkodrën, për të ardhmen, për Shqipërinë”. “Këto vite në rrugën e lirisë kanë qenë vite të vështira, me mundime, me sakrifica, por edhe vite me dinjitet, vite që kanë pasur si dritë të pashuar sakrificën sublime të qytetarëve tuaj, qindra e mijëra shekuj burgje e jetë të flijuara për idealet më të larta njerëzore. Por këto vite kanë qenë vitet e sukseseve më të mëdha në historinë e këtij qyteti, në historinë e këtij kombi, sepse ne, qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, u ngritëm nga hiri si Feniksi dhe në 20 vjet Shqipërinë e ngritëm në këmbë, Shkodrën e mbarë Shqipërinë e bëmë që sot të ecë e sigurt drejt të ardhmes së saj. Ne jemi njerëzit e sukseseve të mëdha të jetës së gjithsecilit. Sot ne mblidhemi këtu si qytetarë të një vendi anëtar të Aleancës më të fuqishme që kohërat kanë njohur, Aleancës së Atlantikut të Veriut. Besimi juaj tek liria, vendosmëria juaj për të ndërtuar idealet e lirisë, bëri të mundur që sot ne të jemi anëtarë të NATO-s. Ne sot mblidhemi këtu më evropianë se kurrë në tërë qenien tonë, lëvizim të lirë në kontinentin që jetojmë prej shekujsh dhe mijëvjeçarë. Sot ne jemi më krenarë se kurrë me njëri - tjetrin për sukseset tona, sepse Shqipërinë që rropatej e rrokullisej në honet e mjerimit e ngritëm dhe tre vjet me radhë qëndron në krye të rritjes ekonomike të Evropës. Sot ne mblidhemi më krenarë se kurrë si njerëz të një suksesi të madh, sepse Shqipërinë e panjohur nga bota e shndërruam këtë vit në destinacionin turistik kryesor, Rozafën e turizmit botëror”- përfundoi fjalën e tij kryeministri Berisha.
...