Mesila Doda: Tirana nën kryesimin e Ramës, ndër qytetet më të korruptuara evropiane

Deputetja demokrate Mesila Doda, në një deklarim për mediat ka denoncuar keq qeverisjen e kryebashkiakut Rama, në institucionin e drejtimit të Tiranës. Ajo ka theksuar një nga problematikat kryesore, atë të mos-transparencës ndaj taksave dhe të mungesës së një plani urbanistik për metropolin shqiptar. “Tirana sot renditet ndër kryeqytetet më të korruptuara Europiane. Ky është qyteti i cili sot vuan nga një mungesë e theksuar transparence në përdorimin e taksave të mbledhura, në ofertat dhe nënkontraktuesit e Bashkisë së qytetit, dhe veçanërisht në lëshimin e lejeve të
ndërtimit. Pajisja me një leje apo licencë në Tiranë, kërkon më shumë kohë dhe ka më shumë kosto se në çdo kryeqytet tjetër. Sipas vetë faqes së internetit të bashkisë së Tiranës, totali i ditëve që duhen për të marrë një leje ndërtimi, është mesatarisht 336 ditë, rreth dhjetë here më shumë kohë pritje se në çdo qytet tjetër. Ky fenomen shoqërohet edhe me përqendrimin e të gjithë pushtetin në duart e bashkisë qendrore dhe refuzimin për ti dhënë kompetencat që u takojnë 11 njësive bashkiake. Mungesa e planit urbanistik ka sjellë një zhvillim kaotik, keqadministrim të hapësirës urbane dhe efekte negative në cilësinë e jetës së banorëve të qytetit Sipas studimit të “Doing Business”, për performancën e 22 qyteteve të Ballkanit, Tirana renditet e 16-ta, pas Shkodrës, Prizrenit, Prishtinës, Podgoricës, apo Shkupit. Qeverisja e keqe lokale dhe mungesa e transparencës është një shqetësim i madh për qytetarët e Tiranës. Kjo mënyrë shkakton impakt negativ në të gjitha aspektet e jetës, ndaj ndryshimi është i domosdoshëm. Qeverisja e mirë dhe transparente është qëllim parësor i programit të z.Basha, i cili ka një vizion të qartë për t’ia kthyer Tiranën qytetarëve të saj. Ky është kryebashkiaku që i duhet qytetarëve të Tiranës”.