E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koka: Me Xhaferrajn, së bashku do zgjidhim problemet e qytetit

04/05/2011  Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet Xhaferrajn në Durrës

Lëvizja Socialiste për Integrim, pjesë e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, ka ritheksuar mbështetjen e saj për Ferdinand Xhaferrajn, kandidatin e përbashkët në garën për kreun e Bashkisë së Durrësit. Në mjediset e shkollës së mesme “Naim Frashëri” u organizua dje një takim i zgjeruar me simpatizantë të LSI-së. Në fjalën e tij, deputeti i kësaj lëvizjeje në Durrës, Lefter Koka, deklaroi se para katër vitesh Vangjush Dako mori votat e qytetarëve, por nuk ktheu asnjë shërbim. “Dako e ka kthyer bashkinë sikur të ishte një azil pleqsh. Për katër vjet ai nuk bëri asgjë për mijëra familje të pastreha. Për katër vjet ai nuk arriti të ndajë apartamentet e të pastrehëve, dhe jo se në Durrës nuk ka të pastrehë, por sepse leshgjatët që ka pranë nuk binin dakord për emrat që duhet të strehoheshin”, u shpreh Koka. Në këtë takim foli edhe kandidati i koalicionit për Bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, i cili tha se “Punësimi ishte një ndër problemet kryesore të qytetit, problem që do të gjente zgjidhje nga programi i përbashkët.” Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” i bëri një prezantim të përmbledhur programit të tij, duke vënë theksin tek zgjidhja e problemit më madhor që kishte qyteti. “Punësimi është një problem i madh, por së bashku do ta zgjidhim”, tha Xhaferraj. Projekti i kandidatit të mazhorancës për Durrësin parashikon uljen e taksave të biznesit të vogël dhe nxitjen e investimeve, për të zhvilluar ekonominë e qytetit dhe shtuar ofertën e punësimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›