Europol, kriminaliteti në Shqipëri, më i rrezikshmi

Raporti i fundit i Europolit i përmend grupet kriminale shqiptare si më të rrezikshmet dhe me aktivet në trafikun e drogës dhe në aktivitete të tjera, përfshirë edhe trafikun e armëve.
Në paragrafin për trafikun e drogës, dokumenti thekson: "Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova janë vende të rëndësishme për magazinimin dhe ripaketimin e heroinës. Ndërsa grupet shqipfolëse dhe turke mbeten më të spikaturat për trafikun e heroinës drejt dhe brënda BE-së. Grupet shqipfolëse luajnë një rol të rëndësishëm në furnizimin e Evropës Juglindore me kanabisin që kultivohet në Shqipëri dhe Kosovë."
Raporti e konsideron Shqipërinë një vendburim të rëndësishëm për trafikun e armëve.
"Ballkani perëndimor pritet të mbetet burimi kryesor për armët e rënda të trafikuara në BE, për shkak të stoqeve të mëdha ilegale në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnje, Serbi, Mal të Zi e Kroaci. Mafia italiane dhe grupet shqipfolëse janë përfshirë tradicionalisht në një trafik të tillë."
Europol thekson se grupet kriminale me kombësi shqiptare, janë të njohura për përdorimin ekstrem të dhunës, përfshirë këtu rastet e vjedhjeve.