E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca miraton ligjin e auditit ligjor, pa certifikimin e Bankës Botërore

Kalon në Parlament ligji i shumëkontestuar nga faktorët brendshëm dhe të huaj
Pas debateve të shumta në seancën e djeshme në kuvend, projektligji Për ekspertët kontabël dhe auditin ligjor ka gjetur miratimin e 66 votave. Veç kontestimit të vazhdueshëm nga ana e Ministrisë së Integrimit, Bankës Botërore dhe shumë specialistëve të ekonomisë, kundër këtij ligji është shprehur dje në kuvend edhe deputeti socialist Arben Malaj, sipas të cilit ministrja Bregu nuk e ka certifikuar këtë projektligj, sepse është në kundërshtim me direktivën 8 të Bashkimit Europian. Por ashtu si në hapat e parë të hartimit të këtij ligji, dyshja Bode-Rusmali e ka mbrojtur fort edhe në kuvend këtë ligj, i cili nuk bën gjë tjetër veçse mbron Institutin e Ekspertëve Kontabël IEKA, që kërkon të monopolizojë tregun e ekspertëve kontabël dhe të auditëve me lidhjet dhe influencat që ka me qeverinë dhe administratën publike. Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë kanë mbrojtur fort projektligjin. Nga debati i zhvilluar pak ditë më parë në Komision e Ekonomisë për ligjin ka rezultuar se një nga palët e interesit (IEKA), në të cilën bën pjesë dhe bashkëshortja e Ilir Rusmalit, Linda Rusmali, ishte përfshirë në grupin e punës për hartimin e projektligjit në dëm të grupeve të tjera të interesit. Projektligji për auditimin ligjor është hartuar në zyrat e institutit të ekspertëve kontabël, IEKA, ku më shumë se 10 nene të ligjit merren me funksionimin e kësaj organizate, me zgjedhjen e drejtorit ekzekutiv, në kundërshtim me ligjin për organizatat jofitimprurëse. Gruaja e Rusmalit, Linda Rusmali dhe ministri i Financave, Ridvan Bode në bashkëpunim me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Gjergji Lezhja, e kanë kaluar projektligjin në qeveri në mënyrë të fshehtë.
Kalimi në mënyrë të fshehtë në qeveri
Pasi ka parë projektligjin për auditimin ligjor, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu ka vënë në dukej se një ligj i tillë nuk duhet miratuar pa u ndryshuar, pasi bie në kundërshtim me direktivën 8 të BE. Ndërkohë që projektligji për ekspertët kontabël nuk ka qenë i parashikuar në rendin e ditës, ai ka kaluar fshehurazi, i firmosur nga ministri i Financave dhe Kryeministri. Vendimi i qeverisë me numër 201, datë 29.3.2006, e ndalon kalimin në Këshillin e Ministrave, të projektligjeve që janë të pashoqëruara me relacionin dhe tabelën e përputhshmërisë të Ministrisë së Integrimit. Sipas këtij vendimi, në rastin kur Ministria e Integrimit nuk është dakord, institucioni propozues reflekton vërejtjet e Ministrisë së Integrimit ose me këshillime të përbashkëta dhe vetëm pasi të merret miratimi i ministrisë së Integrimit që projektligji është në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian, duhet të kalojë për diskutim dhe miratim në qeveri. Sipas ministres së Integrimit, Majlinda Bregu projektligji në formën që është paraqitur pranë Ministrisë së Integrimit nuk respekton kriteret e përcaktuara në VKM- në 201, 29.03.2006 Për disa shtesa dhe ndryshime në VKM-në Nr. 584 datë 28.08.2003, Për miratimin e rregullores së Këshillit të Ministrave". Bregu ka nënvizuar se direktiva nuk shprehet në asnjë rast për organizmat profesionale të audituesve apo të shoqërive të auditimit. Neni 12 i projektligjit përcakton krijimin e një organizmi profesional të quajtur IEKA si të vetmin organizëm profesional ne treg përgjegjës për kualifikimin profesional të audituesve, të cilët ligji i quan ekspertë kontabël si dhe në mënyrë të kundërligjshme e ngarkon edhe me kontrollin e cilësisë, hartimin e rregullave të stazhit si dhe me administrimin e veprimtarisë se organizimit profesional të audituesve. Bregu ka theksuar se IEKA është një organizatë e përbërë nga audituesit ligjore dhe shoqëritë e auditimit, dhe si e tillë në asnjë rast nuk mund të ushtrojë një kontroll cilësie të pavarur. Gjithashtu, Bregu vuri në dukje se ligji në formën që është nuk siguron një sistem transparent të mbikëqyrjes publike, përkundrazi përkeqëson edhe më tepër situatën në këtë drejtim. Edhe Banka Botërore ka dalë kundër projektligjit për IEKA- n dhe ka kërkuar rishikimin e procedurave të marrjes së titullit ekspert kontabël si dhe transparencën e mbikëqyrjes. Sipas Bankës Botërore, duhet të ngrihet një qendër e re që duhet të merret me përgatitjen dhe kualifikimin e kontabilistëve dhe audituesve të ardhshëm. Kjo qendër duhet të zhvillojë një kurrikul të re dhe më pas në bazë të kësaj kurrikule duhet të krijohet procesi i vlerësimit. Kurse për organizmat profesionalë, sipas BB duhet të organizohet një proces tenderimi i hapur për licencimin e organizmave profesionalë dhe jo licencimin me ligj të një organizmi të vetëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›