E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mazhoranca ndërhyrje brutale në gjyqësor"

Tiranë- Partia Socialiste ka përshëndetur nënshkrimin nga Presidenti Bush të vendimit të senatit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke pranuar se gjithsesi nuk ka vend për eufori.

Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS, Arta Dade, duke iu referuar fjalës së presidentit amerikan ka theksuar se Shqipëria duhet të përmbushë reforma madhore, ku pa dyshim që theksi vihet te një nga reformat madhore dhe jetike për të demokracinë, ajo në sistemin e drejtësisë.

“Takimi i djeshëm i të gjithë aktorëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sferën e drejtësisë, përfaqësuesit e nderuar dhe të respektuar të shoqatave të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, vërtetoi katërcipërisht shqetësimin e PSSH se kjo mazhorancë ka ndërhyrë brutalisht në pavarësinë e institucioneve të njohura nga kushtetuta si të pavarura”- tha Dade gjatë një deklarate për shtyp.

Sipas saj, ky cenim është shprehur dukshëm përmes akteve ligjore dhe nënligjore që kjo mazhorancë ka kaluar, si dhe përmes ndërhyrjes direkte të ekzekutivit në punën e prokurorisë, duke thelluar konfliktualitetin mes institucioneve në vend, gjë e cila përbën përkeqësimin e mëtejshëm të imazhit të Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar.

Prania në tryezën e djeshme e përfaqësuesve të EURALIUS si kontribut i Komisionin Europian, është sipas Dades, tregues i shqetësimit edhe të BE-së, qëndrim i shprehur edhe para pak ditësh përmes deklaratës së Ambasadorëve të vendeve të BE në Tiranë, e cila pasoi shqetësimet në rritje të ambasadorit të ShBA-së në Tiranë.

Dade ka përsëritur shqetësimin e PS-së, që pakti për drejtësinë, i propozuar prej saj ku qartazi merr udhë filozofia socialiste për reformën në drejtësi, nuk gjeti mbështetje nga mazhoranca. “Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe, për sa kohë që filozofia e mazhorancës për këtë reformë është diametralisht e kundërt me vizionin tonë. Filozofia e mazhorancës bazohet në arnime të pjeshme, emërime partizane dhe shkarkime të atyre që dalin jashtë kontrollit të politikës së saj”- tha ajo.

Pas fitores në zgjedhje, sipas Dades, mazhoranca socialiste, do të zbatoj këtë reformë sipas parametrave dhe filozofisë në një shoqëri realisht demokratike, duke u bazuar edhe në kontributet e vyera në radhë të parë të të gjithë aktorëve, specialistëve, eskpertëve dhe grupeve të interesit të këtij sistemi, si edhe ndihmesën e vyer të partnerëve tanë euroatlantik, e cila ka qënë përherë e pranishme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›