Mazhoranca, në unison për integrimin e vendit
Opozita, e vetmja kundër këtyre interesave
Opozita shqiptare është pozicionuar dukshëm kundër interesave të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, me synim të vetëm dhe urgjent bllokimin e procesit të heqjes së vizave.
Ky qëndrim, ndonëse i kamufluar dhe i manipuluar me forma të ndryshme nga selia ylberiste tregon qartë tendencën dhe moslëkuendshmërinë e Edvinit për të penguar pa fund afrimin e shqiptarëve me bashkëqytetarët e tyre evropianë.
Vendimi i dy ditëve më parë, për të rifilluar aksionin e rrëmbimi të pushtetit, është shumë domethënës për strategjinë politike të radhës të Edvinit, teksa pikërisht në muajin prill kur edhe ai ka paralajmëruar për masivizim të rebelimit, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian pritet të japin vlerësimin porsa i takon heqjes së vizave, për qytetarët shqiptarë. Rifillimi i protestave në këtë moment të volitshëm për vendin, mbart në vetvete qëllimet ogurzeza të projekteve të ngushta klanore për destabilizimin politik të vendit dhe njëherazi përçimin e një mesazhi negativ tek ndërkombëtarët, në mënyrë që Shqipëria të rizbresë në listën e zezë, që do të thotë jo liberalizim vizash dhe jo marrje të statusit kandidat.
Pavarësisht, shumica parlamentare e kryesuar nga Partia Demokratike, ka konfirmuar rrugën reformatore të qeverisë “Berisha 2” në vijim të përmbushjes së kritereve që rrjedhin nga afrimi i vendit me strukturat evropiane, më specifikisht për të përfituar sa më parë liberalizimin e vizave, objektiv ky që kërkon një angazhim të jashtëzakonshëm institucional dhe më tej akoma një bashkëpunim të mirëfilltë politik.
Në kushtet e kësaj aspirate të përbashkët të shqiptarëve dhe vullnetit të palëkundur të kabinetit “Berisha” do të ishte e patolerueshme legalizimi i fushatës së nxirjes së imazhit të Shqipërisë, si një vend i destabilizuar politikisht dhe me institucione që i nënshtrohen presioneve të jashtme të lidhura ngushtë me botën e interesave të ulëta dhe atyre mirëfillti, kriminale.
...