E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e 28 marsit 1997 dhe justifikimi i demagogëve

Me rastin e një përvjetori dramatik, kur transparenca majtiste ka qenë përtokë

Më 28 mars 1997, 13-vjetori i së cilës përkujtohet sot, mbushen plot 13 vjet nga humbja e jetëve të 81 vetave, në qendër të Otrantos. Po të flasim për 28 marsin e atij viti, do të hynim në një çështje tjetër: në atë të terrorit e provokimeve për të nxitur të humburit nga shoqëritë huamarrëse të atij viti, që të krijohej paraprakisht një gjendje anarkie e kaosi, por edhe një dhunën atavike për zhvatje të pushtetit në mënyrë të jashtëligjshme.
Por ja që çështjet janë të ndërlikuara dhe problemet janë të ndërlidhura. Kjo del edhe nga debati televiziv i pardjeshëm, në të cilin të pranishmit në TV na shkaktuan të dridhura dhe rrëqethje duke na e pasqyruar ngjarjen tragjike me aq hollësira e me aq vërtetësi, sikur ai kob i rrallë të kishte ndodhur djé. “Sibila” ishte anija luftarake italiane që jo vetëm i zuri rrugën anijes mbartëse të më shumë se 100 e disa dhjetëra burrave, grave e fëmijëve, por edhe kapiteni i saj mohoi në gjyq se kishte qëlluar në pjesën e poshtme anijen tonë të paarmatosur, gjë që shkaktoi mbytjen e qëllimshme të saj. Ky kateri ynë (ashtu quhej) ishte si një mi përballë një elefanti, nga ç’pamë në sekuencat filmike. S’do të na punonte dora për të shkruar këtë dyfjalëshin “mbytje e qëllimshe” , në qoftë se do të cenohej mikja jonë tradicionale dhe ndihmësja e sinqertë e popullit shqiptar, Italia demokratike. Por jo! Ishin majtistët italianë në fuqi. Kryeministër ishte Romano Prodi. Senatorit italian Paolo Guxanti, në një shkrim të tij, e quan të lidhur keq me komunistët italianë. Guxanti vëren : “Nuk duhet të çuditemi shumë për moralin e politikës sonë të majtë, që s’i ka për pesë ato që bën Prodi”. Gazeta jonë ka shkruar prej kohësh, kur Prodi nuk përtonte të mbulonte çka kishte bërë në aferën e përbashkët me Millosheviçin, që të mbushte xhepat dhe, nga ana tjetër të armatoste gjer në grykë gjakësorin e shqiptarëve, Sllobodanin. Prodi erdhi në Vlorë, i pritur me “për nder armë” nga Zani çaushi dhe nga tregishtorët, për t’u dhënë zemër e për të qenë solidarë me kryengritjen bolshevike, në përgatitjet për marrjen e pushtetit me dhunë. Në panel foli edhe Bashkim Fino, që u bë kryeministër, pasi ishte implikuar me komitetasit, si në atë takimin me Agim Bozhitën dhe me Eqerem Osmanin, në Shtëpinë e Oficerëve, në fillim të marsit të vitit kobzi 1997. Kjo është trajtuar hollësisht në komentin e veprës “Skaner”.
Meqë sot ajo fjala Transparencë është bërë e modës nga Edi Rama dhe Bashkimi i mban iso, kishte rastin që të ishte koherent me këtë fjalë (demagogjike) edhe në çka tha në këtë emision. Përkundrazi, ai u mburr se e kishte pritur me madhështi Prodin në Gjirokastër, sesi ishte ndier krenar për këtë pritje, sesi ishte përqafuar me Romanon dhe sesi ishte i lumtur që ai ishte shpallur qytetar nderi i Vlorës!
Prandaj do të ishte një kundërpërgjigje edhe profili antishqiptar i këtij personazhi. Gjithmonë sipas senatorit italian, “Prodi kishte të bënte me institutin Plekanov, me të cilin ishte në partneritet, institut i cili qe, në njëfarë mënyre si KGB-ja, në seksionin ekonomik të saj. Dhe gjatë orvatjes për grushtin e shtetit kundër Mihail Gorbaçovit, a nuk ishte pikërisht ai, i urti Prodi i cili, në një intervistë që i dha “Corriere della Sera-s”, i miklonte përbetuesit, madje duke u përçapur që ata të ishin të përligjur në kurthin që kishin përgatitur? Po, ai vetë! Dhe gjithmonë ai, Romano Prodi, u vu në garë për ato llogjet që në Elizeun quhen “Prix Concièrge” (çmimi vjetori i llafazanërisë së rojtarëve të pallateve) për shpifjet (për të cilat u përgënjeshtrua në mënyrë të ashpër e të prerë, nga të cilat pati një telash të madh), duke u vënë veshin këtej e andej thashethemeve cipëplasura, që i përdori edhe në një bisedë me Zhak Shirakun, të cilit i hipën xhindet në kokë, jo vetëm për cingërimat, por edhe për gënjeshtrat që vetë Prodi u shtonte këtyre palavive”. Guxanti e përmend shumë herë lidhjen me komunistin e regjur Diliberto. Kjo veçori duket se nuk ishte e panjohur për Finon, se na u shpreh në këtë bisedë se ishte në dijeni të politikës italiane. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Prodi nuk duhej bërë kryetar nderi i Vlorës! Sidoqoftë është një tregues se ku katandisur “transparenca”. . .
Por ne kemi parasysh edhe artikuj të tjerë të argumentuar, të shtypit demokratik italian. Analisti Mauricio Tortorela ka shkruar për skandalet financiare të Prodit e për batakçillëqet e tij, qysh në vitin 2003. Citojmë: “Pisllëqet e Prodit kanë të bëjnë me disa afera të Eurostatit (shoqerisë statistikore e BE-së), për shitjen me çmim fiktiv të SME-së (Shoqërisë Ushqimore Publike), në vitin 1985, si edhe disa të tjerave, që i kishin futur Prodit në xhep, 200 miliardë lireta. (“Kjo shumë kishte hyrë në xhepat e Prodit”,- shkruan analisti).
Veçse ajo që ne na dhemb është afera me Millosheviçin, në kohën kur kasapi i Ballkanit ishte në krizë financiare dhe s’kishte pare as për të paguar bandat e tij, si ato të shqiptarvrasësve të Arkanit etj). Në një dokument të të ngarkuarit amerikan për çështjet ballkanike, Gelbard, Prodi fajësohet ashpërsisht për ndihmën që i kishte dhënë Millosheviçit.
Kjo meriton të vihet në dukje me shifra konkrete:
Ngjarja është e vitit 1997, kur Prodi drejtonte qeverinë italiane. Ai është përgjegjës për dhënien në dorë Millosheviçit, për “blerjen e 29 % të Telekomit serb, të 878 miliardë liretave. Pastaj, pas njëfarë kohe, ia rishet këtë blerje të 1997-s, po Telekomit serb, për më pak se 387 miliardë lireta! (domethënë për 40 % të shumës që kishte paguar! ). Për këtë dallavere shtypi italian shkruan se paret që kishte përvetësuar Prodi me anë të kësaj ndihme që i kishte dhënë Millosheviçit, i kishte depozituar në 18 banka të huaja.
Skandali s’është mbyllur as sot. Gjykatat po merren me një problem për të cilin shpërtheu jo vetëm shtypi italian, por edhe “Financial Times-i” dhe gazetat e tjera të huaja. Akuza më e butë që i është bërë Prodit për këtë aferë është ajo e një juristi italian: “Një ekonomist që firmos një kontratë të tillë, meriton që të mbyllet në një kuvend”. Ne, në gjuhën tonë, themi: “është bërë për t’u lidhur”! Sigurisht një gjë që blihet shtrenjtë dhe shitet lirë, ka edhe batakçillëkun vetjak brenda!
Amerikanët e përgojuan Prodin edhe për lojën e dyfishtë politike, domethënë për pabesinë e tij ndaj NATO-s. Ja, ku e ka burimin antiamerikanizmi i Prodit. Kosovarët duhet ta vënë në listën e zezë: sepse ai fuqizoi ushtrinë serbe, që ajo ushtri të masakronte pikërisht kosovarët!
Vetvetiu edhe kombi ynë ka argumente për të shprehur indinjatën e tij. E kemi fjalën për atdheun-amë, Shqipërinë e kufijve zyrtarë.
Duket se ka ende shumë shqiptarë, të zhveshur nga çdo ndjenjë kombëtare, që të mos shohin se ç’po bëhet në kurriz të kombit të tyre, kur pranojnë, me miratimin e pushtetit socialist, atje lart, që të vlerësojnë një antishqiptar si Prodi, duke i dhënë titullin e qytetarit të nderit të Vlorës!
Veprimtarinë komuniste, në vazhdimësi në dëm të kombit, s’ka për ta harruar historia...
* * *
Për ta mbyllur profilin e Prodit, po japim edhe një copëz nga editoriali i “Panoramës” italiane, të 11 shatorit të vitit 2003:
“Djetë vjet më parë Italia u ndodh përpara një skandali që i tronditi institucionet që nga themelet: çështja e fondeve të zeza të Sisde-s. (Shërbimeve të fshehta italiane). Në makinën e rrahjes së vezëve përfunduan edhe ofiqarë të lartë të ministrisë së punëve të Brendshme. Këta shpallën në rrjetet e bashkuara televizive se nuk ishin të molepsur në këtë çështje, duke iu shmangur, kështu, nxjerrjes së të vërtetës. Sot, protagonistët e skandalit (sepse është vërtet një skandal), të blerjes së Telekom Serbja-s nga ana e Telekomit italian, nuk po thonë më “s’më përket” por, pas muajsh heshtjeje të dyshimtë, tregohen të gatshëm për t’u paraqitur përpara komisionit parlamentar hetimor. është një hap përpara, megjithatë. U kemi kërkuar Romano Prodit, Lamberto Dinit dhe Piero Fassinos (përkatësisht Kryeministër, ministër i Jashtëm dhe nënsekretar i Farnezinës), që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje: Përse Italia i dhuroi 900 miliardë lireta Sllobodan Millosheviçit? Dini e Fassino kanë bërë të ditur që, ndonëse s’kishin pasur kurrë gisht në traktativat, ajo zgjedhje pakësh qenë e paqortueshme, sepse ishte mbështetur qoftë nga Bashkimi Europian, qoftë nga Shtetet e Bashkuara(!). E gjitha kjo, sipas Dinit e Fassinos, për shkak të procesit të evolucionit demokratik të Serbisë pas firmosjes së marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, që u jepte fund barbarive në ish- Jugosllavi (!). Justifikime të cilat i hëngri pjesa më e madhe e shtypit italian.
“Panorama” ka kërkuar ballafaqimin me të vërtetën për këto deklarata dhe ka intervistuar personin i cili, më shumë se cilido tjetër në atë periudhë, ishte përkushtuar për llogari të Amerikës për problemet serbe: Robert Gelbard-in, i dërguari i jashtëzakonshëm në atë kohë i presidentit Bill Klinton në Ballkan, pikërisht për të ndjekur zbatimin e marrëveshjes së Dejtonit. Gelbard-i i përgënjeshtron deklaratat e Fassinos dhe të Dinit. Ai pohon, ndërmjet të tjerash: - “Të thuash se ne, amerikanët, u jepnim zemër kombeve të tjera që të investonin në Serbi, është qesharak. Krejtësisht një gënjështër”. Për blerjen e Telekom Serbja-s, ish-ambasadori shton se “ajo çështje mund të vërehet si një “anomali tërësore” dhe se “lajmi ( i aferës që i dha në dorë Sllobodanit 900 miliardë lireta,), u prit nga qeveria amerikane me një shqetësim të madh meqë kishte shumë arsye që një marrëveshje e tillë përmbante elemente ilegale”.
Shpalljet e Gelbard-it përkojnë me atë që ka thënë për “Panoramaën” në janarin e kaluar. Xhejms Rubini, ish-zëdhënësi i sekretarit të Shtetit amerikan: “Administrata jonë ka qenë shumë e shqetësuar për faktin se Italia bënte afera të këtij lloji me Millosheviçin. Dhe këtë e bëmë të njohur”.
Përfundimisht, deklaratat e Fassinos dhe të Dinit gjejne një përgënjeshtrim të besueshëm në shpalljet e ish-ambasadorit Gelbard. “Kështu tani topi u mbetet në këmbë të dy politikanëve italianë. Le të shpjegohen, pra, vetëm të mos fshihen prapa gishtit të tyre me atë qesharaken “nuk më përket mua”.
Të majtët janë rekordmenë të demagogjisë.
* * *
Në bisedën e parmbrëmshme fatkëqijtë e mbijetuar të asaj gjëme të Otrantos thanë gjëra tronditëse: Ndonëse gjyqi e fajësoi kapitenin e “Sibilias” dhe e dënoi, pushtetarët majtistë luajtën rolin e sehirxhiut. Gjyqi u kishte caktuar familjarëve nga 35000 euro për çdo familje. Krenar Xhavara tha se “fajin e ka qeveria majtiste dhe Prodi”. “Pushtetarët nuk e ndoqën çështjen në Itali”, - tha Bashkime çala”. Jo vetëm kaq, por disave ua dhanë paret në dorë, përmes avokates që i bëri rrush e kumbulla” (dhe ia përmendi emrin). Të tjerët u keqtrajtuan nga avokatja dhe i shoqi i saj. Unë nuk ia pranova paret, pa m’i dhënë përmes bankës. Kështu që të gjithë këta që janë këtu, si edhe të tjerët, nuk e kanë marrë dëmshpërblimin. E kemi hedhur avokaten në gjyq, por gjyqi s’ka përfunduar as sot”!
Shikuesit me siguri do t’i ketë vajtur mendja te “Transparenca”!
Por ndjekësit e vëmendshëm të TV-së kanë vërejtur arsyen përse vajza e nënës me të bijën e saj të mitur ishin mbytur në Otranto. E ëma e këtyre dy viktimave tha: - çupa e vogël u trondit jashtë mase në Vlorë për krismat dhe gjëmimet tërë natën dhe tërë ditën. Po kalonte në kriza nervore. Qé e vetmja rrugë shpëtimi që të shkonin në Itali, te të afërmit tanë. Ishte ajo që u bë rruga e vdekjes”.
Këtu del një pyetje e thekshme: Cilët i zbraznin tërë këto armë ditë e natë? Socialistët janë të gatshëm të thonë se i zbraznin ithtarët e Berishës! Kjo është transparenca e tyre. Por a ka njeri që ta gëlltisë këtë lloj transparence?
E tani na betohen për transparencën!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›