Asambleja e politikë-restorantit ose trumpeta e krizës
Tirana 2010 - Asambleja e Partisë Socialiste është mbledhur në habitué-në e përhershme të restorant Xibrakut, për të ritheksuar qëndrimin part-time me Kuvendin. Turbulluesi i demokracisë, Edi Rama, është krenar që grupi parlamentar (s)’ka funksionuar as edhe një ditë të vetme në parlament, pasi formula e de-personalizimit të deputetëve është sakrifikuar për të vetëm arsye sepse do të jetë i vetëm në adhurimin permanent të militantëve soc-komunistë e nostalgjikë të një epoke të mbyllur. Sikurse është e vërtetë edhe etja e egoizmit edvinian për protagonizëm, që për fat të keq e mban peng në dashurinë që ka për këtë vend. Fiksacioni më i madh që ka pasur një politikan shqiptar pas Enver Hoxhës se “Kutitë e mbyllura mbajnë mbyllur rrugën e zhvillimit e të mirëqenies”, sipas Edvinit. Gjithashtu Edvin Ramës duhet t’i themi se lojërat me fjalë nuk janë të denja për një burrë shteti, por për një burrë shtrati. Dikush duhet t’i thotë se ka përfunduar epoka e baballarëve gjakatarë.
Gjithsesi nuk ka asgjë të re përpara diellit, të njëjtët fytyra me të njëjta qëndrime, që nuk do të thotë që të jenë domosdoshmërisht koherent me demokracinë. Parashikohet për të ardhmen e tyre politike një aleancë e krizës së kutive dhe asaj ekonomike, që s’ka gjasa të ndodhë pasi janë të gjëra krejt të kundërta. Prokuroria do të vendosë për komisionerët e Rruzhdies, kurse kriza ekonomike do të lehtësohet nga fillimi i sezonit të turizmit, ku me hapjen e Tunelit të Thirrës në fillim të majit gjithçka do të avantazhojë ekonominë shqiptare. Shto këtu optimizmin që do të lindë kur BE do të vendosë regjimin ose liberalizimin e vizave me shtetin shqiptar.
Sidoqoftë, për kronikë korrekte duhet shtuar se Asambleja Kombëtare e PS-së ka vendosur nisjen e protestave në të gjithë vendin për “hapjen e kutive” nëpërmjet popullit opozitar, kurse 30 prilli do të mbledhë të gjithë militantët në bulevardin "Dëshmorët e Komunizmit", në Tiranë. Ky vendim nuk është i reflektuar aq shumë sa duket në kronika televizive, se pasqyra e kameras nën regjinë e PS-së sheh vetëm një fytyrë, gjithmonë e vrenjtur, makabre, tekno-terroriste e Edi Ramës, që pjell vetëm shterpëzime në distancë me mendimet e kundërta me të.
Afërmendsh ky konkluzion i bashkërenduar me deviza proteste dhe kërkesë kutish në Parlament vjen si pasojë e një konfuzioni patologjik të PS-së, parti e cila identifikohet sa në bahçen e selisë, po edhe nëpër restorante, për të prodhuar një lloj politike që nuk mund të kapërdihet nga publiku i gjerë. Asambleja e sojit të restoranteve, ishte një asamble krejt funebre, një alibi pa diversione nga Rama shou, një telegram urrejtjeje për shqiptarët; kuptohet vetiu përveç overdozës së përditshme “të kutive ose largohu” dhe bojkotit të çdo mendimi ndryshe. Restorant i politikës se re, është njëri ndër vendet më të frekuentuara në Tiranë që prej 6 vjetësh dhe që ofron për klientët e mediave publike kuzhinën e vakët të mos-arsyes, ku serviret nga një staf i specializuar në psikologji infantile e me metoda bashkëkohore shërbimi, propagandimi i idesë së bojkotit.
Mirëpo syri i një historiani mund të krahasojë me sallonin e mbajtjes së Asamblesë së PS me sallën e Hofbrauhaus, me birrarinë ku lindi nukli i partisë naziste gjermane, në një vëzhgim më të imët të del se i ngjan më shumë birrarisë së Bürgerbräukeller ku vendos për Putsch-in e Mynihut, që deklaroi nisjen e revolucionit.
Në fakt, kjo politika opozitare e sotme, gjatë ulje-ngritjeve 20-vjeçare që po zgjasin një tranzicion, ka një pikëndjekje që e ka shoqëruar në mënyrë konstante. Ky detaj e ka emrin shkrirje mes asaj që quhet vlerë dhe antivlerës. Një fiksim i çuditshëm, shumë herë më shumë i pakuptueshëm sesa i kuptueshëm, pikërisht sepse ky detaj ka veshur më së miri ata që sot përfshihen në këtë klasë politike. Një makiavelizëm i pafund që duket sikur është lexuar më së miri nga liderët no-global.
Politika e re në sojin e politikë-restorantit ka një forcë të brendshme që tërheq vëmendjet nga problemet e qeverisjes së bashkive të mëdha. Problemi personal i Rames është ai i të qenit kryetar i një Bashkie, e aq më tepër i Tiranës, por ai e zgjidh atë, duke e ngatërruar me problemet e vendit. Pra dashurpadashur, ai shihet si një bashkë-aksionar në stresin politik dhe njëkohësisht publik. Në shumë probleme sociale që kalon vendi, po të kemi parasysh se këto probleme janë të përqendruara kryesisht e gjerësisht në Tiranë, do të thoshim se Edi Rama ka kuota të larta aksionesh - për vetë numrin e popullsisë - dhe e njëjta kuotë virusi përcillet edhe tek politika e opozitës.