E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca nis ofensivën ndaj KLD, Halimi: Duhet të ndryshojë

Vrasja makabre e gjyqtarit Skerdilajd Konomi po përdoret nga mazhoranca në pushtet për të vënë nën kontroll Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i drejtuar nga presidenti Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu, dy figura jo të dashura për mazhorancën në pushtet. Dëshirën për të bërë ndryshime në KLD e ka shprehur publikisht  Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Ai e ka mbështetur kërkesën e vet në gjoja studime dhe kërkesën e disa organizmave ndërkombëtarë. Duke folur në një intervistë,  ai tha se kërkesa për ndryshimin e strukturës dhe mënyrës së funksionimit të qeverisë së gjyqësorit vjen jo vetëm nga  qeveria, por edhe nga vetë gjyqtarët dhe institucionet e huaja që asistojnë drejtësinë. “Ka qëndrime të kësaj maxhorance gjatë gjithë kësaj periudhe në lidhje me KLD dhe me organizimin e saj. Bile, mund të them që ka qëndrime të cilat vetë anëtarët e KLD i kanë deklaruar nëpër media, ka dhe studime të kryera dhe nga organizata të cilat kanë asistuar sistemin e drejtësisë. Pra, ka një set dokumentesh shumë të rëndësishme për reformimin e KLD. Nuk është se kjo reformë nis në gazetë, por kjo është një reformë në të cilën përfshihen shumë aktorë. Duhet të ketë një vullnet nga të dyja palët politike për ta ndryshuar këtë sistem, për të bërë një sistem drejtësie, më efikas, më të zhvilluar, më profesional por mbi të gjitha më të pakorruptueshëm”, tha Eduard Halimi, ministër i Drejtesise. KLD-ja është institucioni kryesor që emëron,promovon,transferon dhe shkarkon gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë dhe te apelit. Kjo është edhe arsyeja qe here pas here KLD ka qenë në qendër të sulmeve qe vijne nga jashte,por ne shume raste edhe brenda sistemit të drejtësisë. Mazhoranca deri më tani ka emëruar vetëm kandidaturat që ka dashur ajo në sistemin e lartë të drejtësisë, siç është Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë duke u bërë përzgjedhëse e emrave që presidenti Topi dërgonte në Kuvend si kandidatura për këto dy institucione të pavarura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›