E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqiptarët do deklarojnë fenë e etninë. Ajo është lëvizja Faq e Zi

Kryeministri Sali Berisha ka folur në ceremoninë për hapjen e qendrës së të dhënave për procesin e ri të regjistrimit të popullsisë në vend. Berisha tha se ky është regjistrimi i parë i lirë, ku njerëzit do deklarojnë besimin e tyre fetar dhe përkatësinë etnike.

Ky është regjistrimi i parë i lirë, pas regjistrimeve të bëra në fillimet e mbretërisë shqiptare. Shqiptarët i nënshtrohen këtij procesi si qytetarë të lirë për të dëshmuar të gjitha kërkesat e procesit, për të dëshmuar vullnetin e tyre të lirë, përkatësinë e tyre etnike, besimin e tyre fetar.

Ky regjistrim realizohet me teknologjitë më të avancuara. Pra kemi të bëjmë me një aplikim të standardeve bashkëkohore dhe teknologjisë më bashkëkohore. Regjistrimi është një akt themelor, i cili do bëjë të mundur që politikat e qeverisë shqiptare të jenë më të drejta e më të ndershme, pasi do japë të dhënat e sakta mbi demografinë e rretheve e rajoneve, të dhëna të domosdoshme për një shpërndarje më të drejtë. Regjistrimi do përbëjë një orientim shkencor për të gjitha politikat e vendit, tha Berisha.

Detyra e qeverisë është të bëjë ndërhyrjet e duhura për ti garantuar kombit rininë e përjetshme. Nëpërmjet regjistrimit bëhet i mundshëm monitorimi më i saktë i trendit demografik. Ky regjistrim ka edhe një meritë tjetër të madhe, është një pasqyrë e kristaltë e përpjekjes dhe arritjeve të mëdha të shqiptarëve në këto vite lirie. Ata kanë ndërtuar më shumë vila e pallate më shumë se të gjitha breznitë e të gjitha kohërave, vijoi më tej kryeministri.

Më pas Berisha foli për qëndrimet e mbajtura kundër regjistrimit, sidomos nga Aleanca Kuq e Zi. Ai tha se këto qëndrime janë atavizma.

Kur këtë e bëjnë institucionet, të cilat në ligjet e Kushtetutën e vendit janë të depolitizuara, kjo lëvizje quhet Faqe e Zi. Nuk kam asgjë me mendimet e tyre atavike. Jam i bindur se këto mendime nuk ua dëgjojnë anëtarët e familjes së tyre. Por mua më shqetëson fakti se ata keqpërdorin detyrën e lartë shtetërore për qëllime meskine personale, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›