Zbulohet taktika e re e avokatëve të Metës në Gjykatë
Ekspertizë private dhe frikë nga përjashtimi i Fullanit nga trupi gjykues
Grupi i avokatëve që mbrojnë ish- zëvendëskryeministrin Ilir Meta po devijojnë strategjinë e tyre, për të kërkuar një ekspertizë private, të afërt me qeverinë. Të gjendur para presionit për besueshmëri të ulët të një ekspertizë të bërë nga Ministria e Brendshme, grupi i avokatëve po përpiqen të fusin në lojë dy pedagogë të rinj, ekspertë të kriminalistikës, të cilët do të riekspertojnë videon e transmetuar në Top Channel.
Ekspertiza amerikane dhe ajo britanike e kanë nxjerrë videon autentike, dhe përputhshmëri të plotë me zërin dhe figurën. Ekspertiza amerikane dhe britanike është kërkuar nga Prokuroria me arsyetimin se Shqipëria nuk ka ekspertë të kësaj fushe.
Strategjia e re e avokatëve të Ilir Metës, të cilët drejtohen nga Spartak Braho, janë duke shkuar dhe tek emra konkret ekspertësh. Një prej tyre mësohet se mund të jetë Koseta Bylykbashi.
Ndërkohë shqetësimi i dytë i grupit të avokatëve është çështja Fullani. Ekspozimi i zonjës Fullani pro Metës, vizita në shtëpi dhe lobimi i saj për të shkëmbyer nderin në gjykatë për Metën me riemërimin e burrit Guvernator, ka rritur shqetësimin se mos prokuroria kërkon tërheqjen e saj nga trupi gjykues si njeri me konflikt interesi.
Seanca do të mbahet nesër paradite dhe do të jetë vendimtare për të ardhmen e procesit. Nëse Gjykata dorëzohet para kërkesave të Metës, procesi duket se do të mbyllet shpejt dhe Meta do të dalë i pafajshëm.