E Diel, 1 Nëntor 2026

Petro Koçi: “Qeveria të mbrojë Pinarin dhe Delijorgjin”



Deputeti Petro Koçi, gjatë fjalës së mbajtur në seancën e djeshme parlamentare, kërkoi që qeveria të mbrojë dy dëshmitarët kyçë të ngjarjes së Gërdecit, Pinarin dhe Delijorgjin. Ai u shpreh se pa zbardhjen deri në fund të tragjedisë së Gërdecit nuk do të mbahen kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, pasi ato do të financohen nga paratë e krimit të organizuar. “Unë kërkoj që të merren masa të rrepta sigurie për dëshmitarët e Gërdecit. Pinari dhe Delijorgji dinë shumë dhe shteti duhet t’i mbrojë dhe të mos sillet ashtu sikurse u soll me Trebickën. Pa u zbardhur korrupsioni politik në Gërdec Shqipëria nuk do të ketë asnjëherë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, - është shprehur Koçi. Më tej ai hodhi akuza kundrejt dy liderëve kryesorë të politikës, kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS-së, Rama, për nivelin e korrupsionit në Shqipëri. “Korrupsioni është kthyer si korrupsion konsensual. Aktualisht kemi të bëjmë me një shtet të kapur dhe të përqendruar vetëm në duart e 2-3 njerëzve. Prona publike po katandiset me një çmim qesharak prej 1 eurosh. Ndërsa listat e kandidatëve për deputetë janë tashmë pronë e kryetarëve të partive. Morali i politikës konsensuale rrjedh nga këshillat e rregullimit të territoreve, që drejtohen nga dy vëllezër, ku njëri bën sikur qeveris dhe tjetri sikur bën opozitë. Ky është realiteti i korrupsionit në Shqipëri”, - është shprehur Koçi.

26 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›